Treg

Ka dyfish më shumë femra të diplomuara se meshkuj

Për të pestin vit radhazi numri i meshkujve është gati dy herë më i vogël se numri i femrave që diplomohen në arsimin e lartë. Ndërsa në ciklin e mesëm e atë 9-vjeçar ky raport midis femrave e meshkujve, gjatë viteve 2015-2019, është thuajse i barabartë. Ndryshimi i theksuar midis femrave e meshkujve në diplomim përgjatë viteve 2015-2019 vihet re vetëm në arsimin e lartë dhe konstatohet në “Statistikat e Diplomimeve” për vitin 2019, një publikim i INSTAT.

Në ciklin 9-vjeçar janë diplomuar 34,982 nxënës dhe prej të cilëve 52.6% ishin djem dhe 47.4% vajza. Nga të gjithë nxënësit e klasës së nëntë në vitin 2019, 96.4% e tyre janë diplomuar me sukses. Kjo ka shënuar 1% rritje krahasuar vitin paraardhës.

Në ciklin e mesëm (pra nëpër gjimnazet e Republikës së Shqipërisë) janë diplomuar 34,021 nxënës e numri ka pësuar një rënie prej 3.6 %, krahasuar me 2018-n. Nga këta të diplomuar 47.9% ishin djem dhe 52.1% vajza. Ndërsa të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 11.2 % e të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.      

Për vitin 2019, raporti bruto i diplomimit në arsimin e mesëm, ishte 84.6 %.

Të diplomuar në arsimin e lartë

Në vitin 2019 janë diplomuar në arsimin e lartë 34,891 studentë, ose 1.6 % më shumë se në vitin 2018. Ndër të diplomuarit e këtij viti, 66.4 % janë gra dhe 33.6 % janë burra. Të diplomuarit në programet Bachelor përbëjnë 53.6 % të studentëve të diplomuar gjithsej. Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 27.8 %.

Në vitin 2019, gratë dhe burrat e diplomuar sipas fushave të studimit, mbajnë përqindje të ndryshme ndër të diplomuarit gjithsej.

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë gratë janë “Arsim” me 81,4 %, ndjekur nga “Shëndet dhe mirëqenie” me 79,1 % dhe “Arte dhe shkenca humane” me 78,2 %.

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë burrat janë “Shërbime” me 73,6 %, “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 62,6 % , dhe “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 55,1 %


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë