Futboll

Juventusi triumfon në derbi me përmbysje, Interi “fluturon” me Hakimin

Juventusi ka hasur shumë vështirësi në derbin me Torinon, pasi u gjend në disavantazh që në fillimin e ndeshjes. U desh të djersisnin shumë të besuarit e trajnerit Andrea Pirlo për ta përmbysur rezultatin në 2-1 dhe për të marrë fitoren në fund për të mos u shkëputur më shumë nga kreu.

Dy golat e Juventusit u shënuan në 12 minutat e fundit nga Mekkeni dhe Bonuçi, të dy pas krosimeve të sakta të Kuadrados, të cilit më parë i ishte anuluar një gol. Një sukses shumë i rëndësishëm për kampionët e Italisë, që pas javës së 10-të mbajnë vendin e tretë me 20 pikë. Një pikë më shumë ka Interi, pas fitores 3-1 me Bolonjën.

Interi feston fitoren ndaj Bolonjës. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

Romelu Lukaku dhe një Hakimi në formë të jashtëzakonshme realizuan tre golat zikaltër. Belgu zhbllokoi shifrat shumë shpejt, ndërsa marokeni, mjaft i kritikuar në javët e fundit, realizoi dy herë në portën e Bolonjës. Interi renditet i dyti, 2 pikë pas Milanit, që nuk e ka zhvilluar ndeshjen e radhës në kampionat.

Më parë fitoi edhe Lacio ndaj Specias në transfertë, me rezultatin 1-2. Dy futbollistët shqiptarë të kësaj sfide, portieri Tomas Strakosha dhe mbrojtësi Ardjan Ismajli, nuk u aktivizuan asnjë minutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë