Futboll

Juventusi i Pirlos e nis me tris, kampionët janë më argëtues

“Maestro” Andrea Pirlo është duartrokitur në ndeshjen debutuese me Juventusin në kampionat nga ata 1000 tifozë që janë zbavitur. Jo vetëm kanë parë 3 gola, por edhe një Juventus që ka bërë gjëra të mira ndaj një Sampdorie që në fakt nuk u shfaq asnjëherë e rrezikshme. U shënuan 3 gola, ku janë përzierë të rinjtë dhe të vjetrit, përvoja dhe freskia. E hapi Kulusevski, titullar pasi Dibala dhe Bernardeski janë të dëmtuar, dyfishoi Bonuçi dhe e mbylli Kristiano Ronaldo.

Pirlo e luajti ndeshjen e parë në “Stadium” pa një sulmues qendre dhe me dy blerje në fushë nga minuta e parë, MekKeni dhe Kulusevski, por titullari i papritur ishte Xhanluka Frabota, i datëlindjes 1999, i pozicionuar në të majtë. Aleks Sandro ishte i dëmtuar, dhe Pirlo preferoi të riun, i lançuar nga Sarri në fund të kampionatit që shkoi. Trajneri kishte folur me skuadrën ara ndeshjes për konceptin e tij të lojës dhe Juventusi ka bindur.

Juventusi feston një nga golat ndaj Sampdorias. Gazeta Si, 21 shtator 2020

Ndeshja u zhbllokua pas 14 minutash lojë nga debutuesi Kulusevski, me një të majtë inteligjente. Më parë Ronaldo kishte humbur një rast të mirë, ndërsa traversa i ka mohuar golin pas një aksioni të bukur të nisur nga MekKeni. Sampdoria është e pafuqishme të reagojë, edhe kur Ranieri ndryshon në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë Kualiarelën, Ramirezin dhe Joshidën. Bonuçi dyfishon 12 minuta nga fundi, ndërsa Ronaldo nuk mund ta pranojë nisjen e sezonit pa gol dhe ia del në fund me një diagonale perfektë. Më parë kishte pretendime për penallti nga Sampdoria, pas një prekjeje të topit me dorë nga Bonuçi. Gjithsesi, Juventusi i Pirlos ka bindur në provën e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë