Futboll

Juventusi ‘çmonton’ Sasuolon me Vlahoviç, asnjë minutë për Nedim Bajramin

Gazeta Si – Dopieta e sulmuesit Dushan Vlahoviç nga distanca dhe një gol i Kiezës i kanë dhënë fitoren Juventusit ndaj Sasuolos. Bardhezinjtë afrohen sërish në -2 pikë nga Interi kryesues.

Juventusi ka mbyllur javën e 20-të Serisë A, duke mundur 3-0 Sasuolon. Në ‘Allianz Stadium’ ndriçoi gjatë pjesës së parë ylli i Vlahoviç, autor i dy golave vendimtarë, me dy të majta fituese nga distanca. Në minutën e 15-të ai zhbllokoi rezultatin, duke befasuar portierin me një gjuajtje të thatë.

Pastaj sulmuesi përsëriti veten në minutën e 37-të, duke shënuar nga një goditje dënimi në hyrje të zonës. Në pjesën e dytë mund të veçohet një pritje e shkëlqyer e Sheznit ndaj Berardit dhe pastaj goli i Kiezës një minutë para fundit të kohës së rregullt. Skuadra e Alegrit shkon -2 nga Interi.

Nedim Bajrami, fantazisti i Kombëtares shqiptare dhe Sasuolos, nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje. Ai qëndroi gjithë kohën në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë