Futboll

Juve, Sarri mes Champions dhe të ardhmes: Drejtuesit s’janë amatorë, e kanë vendosur fatin tim

Pasi arkivoi çështjen titull, Juventus rifillon rrugëtimin në Champions League, ku do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të 16-të kundër Lyon. Gjithçka nis nga rezultati i ndeshjes së parë, 1-0 në favor të francezëve dhe Maurizio Sarri e di se të premten në stadiumin Allianz nuk do të jetë e lehtë të përmbyset rezultati. ‘’Do të duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyeshme, do të jetë një garë për t’u përballur me qartësi dhe qetësi- ka deklaruar Sarri, që më pas foli edhe për të ardhmen e tij te bardhezinjtë. ‘’Nëse drejtuesit duan të ndryshojnë trajnerin ata tashmë e kanë vendosur. Është fyese për drejtuesit të mendosh se gjithçka do të vendoset në bazë të kësaj ndeshjeje. Unë mendoj se kam të bëjë me drejtues të nivelit të lartë, jo amatorë. Ata tashmë kanë bërë vlerësimet e tyre, pavarësisht nga rezultati i kësaj ndeshje”.

Sarri më pas u ndal tek kundërshtarët francezë të Lionit. ‘’Lioni ka evoluar në mbrojtje dhe ka një solidaritet të madh. Do të jetë një ndeshje e vështirë por duhet të përballemi me qetësi. Është një ndeshje e rëndësishme. Do të ishte fantastike të shkonim në Portugali në Final Eight, sepse nënkupton anëtarësimin në elitën e futbollit evropian dhe atë botëror. Është një ndeshje e rëndësishme për Champions League, ashtu siç ishte e rëndësishme të fitoje titullin. Jemi të lumtur që kemi fituar kampionatin më të vështirë në historinë e Serisë A për gjithçka që ka ndodhur këtë sezon. Ndonjëherë e gjithë kjo zbutet nga zakoni i fitores, për mendimin tim nuk duhet të jetë kështu”.

Trajneri i ekipit torinez në fund foli edhe për lojtarët që ka në dispozicion: “Dybala akoma nuk është i sigurtë. Do shohim se si do jetë deri në fund, më pas do flas me doktorët dhe do vendosim. Cristiano Ronaldo po stërvitet mirë. Po e merr ndeshjen me seriozitetin e duhur. Higuanin dhe Pjanic po rriten që të dy. Gonzalo duket më në formë. Pjanic ishte i lodhur fizikisht dhe psikologjikisht, por duket se e ka marrë veten”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë