Futboll

Jurgen Bardhi: I vetmi që besoja për titullin që në fillim, te Partizani qeshnin kur e thosha

Nga Fatjon Rupi - Kur ka mbetur edhe faza e fundit e kampionatit, Partizani është 2 pikë larg vendit të parë dhe ka shanse reale për titullin e 17-të në historinë e tij. Të kuqtë e nisën sezonin e me merkato të bllokuar për shkak të një dënimi dhe të paktë ishin ata që besonin se kjo skuadër do të ishte mes pretendentëve për titull në Superiore, përveç Jurgen Bardhit.

Në një intervistë për Gazeta Si, futbollisti 23-vjeçar thekson se ka besuar që në fillim se Partizani është për titull. Madje, ai kujton që shokët e ekipit qeshnin kur e thoshte këtë. Ëndrrat e Bardhit janë Kombëtarja dhe aktivizimi në një kampionat të huaj, por më parë trofeu i kampionit me Partizanin.

Jurgen Bardhi në nxemje. Gazeta Si, 12 prill 2021

Jurgen, pas fitores me Bylisin duket se jeni futur bindshëm në garën e titullit, ndërkohë që ka mbetur edhe faza e fundit e kampionatit..?
Po, fitorja me Bylisin ishte shumë e rëndësishme në të gjitha aspektet. E para për klasifikimin, sepse na ka afruar 2 pikë me vendin e parë, me Teutën, dhe pastaj edhe për anën morale. Kjo fitore besoj na motivon më shumë për ndeshjet e mbetura të kampionatit.
Njëkohësisht jeni çliruar edhe sa i takon shënimit të golit, pasi vinit pas dy ndeshjesh pa shënuar. Çfarë nuk ka funksionuar më parë në këtë drejtim?
Në fakt, loja jonë në çdo ndeshje ka funksionuar. Partizani gjithmonë ka krijuar raste për shënim, por ndonjëherë nuk kemi arritur ta gjejmë rrugën e rrjetës dhe për këtë arsye kemi humbur pikë. Dikush nuk ka bërë siç duhet diçka dhe nuk ia kemi dalë të shënojmë, por e përsëris, nuk është se na kanë munguar rastet. Edhe me Bylisin, ku shënuam 3 gola, krijuam shumë raste.

Bardhi shënon në derbin ndaj Tiranës. Gazeta Si, 12 prill 2021

Tani po luani në mesfushë. Është një pozicion i ri, apo jeni aktivizuar edhe më parë?
Në këtë pozicion e kam nisur futbollin. Kur kam ardhur te Partizani, me profesor Duron, në këtë pozicion luaja. Pastaj, i kam provuar të gjitha për nevojat e skuadrës dhe jam gati në çdo moment. Pozicioni që po luaj tani më pëlqen më shumë, sepse jam një lojtar që dua të kem sa më shumë kontakt me topin. Nuk jam një sulmues i avancuar.
Para pak kohësh trajneri dhe specialisti i futbollit, Shkëlqim Muça, ka thënë se ju meritoni Kombëtaren me formën që gëzoni…
Po dhe dua ta falënderoj publikisht profesor Muçën. Nuk e prisja ta thoshte, por edhe e prisja, sepse gjatë këtij sezoni kam qenë në formë të mirë sportive. Asnjëherë nuk kënaqem me veten, kërkoj gjithmonë më shumë dhe dihet që Kombëtarja është ëndrra e çdo lojtari.

Bardhi feston një gol të shënuar ndaj Apolonisë. Gazeta Si, 12 prill 2021

Ndoshta ndikon fakti që luani në Superiore dhe jo në një kampionat të huaj?
Është e vërtetë që lojtarët që luajnë jashtë kanë më shumë përparësi se ata që luajnë në Superiore. Megjithatë, unë dua të bëj më të mirën time me Partizanin dhe ndoshta një ditë do të vijë edhe ftesa. Shpresoj gjithashtu që edhe unë të luaj në një kampionat të huaj. Me pjesën e ofertave merren drejtuesit e Partizanit, por di që kanë ardhur oferta. Më penalizoi pak dëmtimi në sezonin e titullit, pasi nuk luajta në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Europës luajta shumë pak.
Sipas jush, sa shanse ka ky Partizan që të shpallet kampion në fund?
Të them të drejtën, unë kam qenë i vetmi që në fillim të sezonit kam thënë: jemi për kampion. Kur thosha këtë fjali, shokët e skuadrës qeshnin me mua. Edhe tani më kujtojnë si të vetmin që kam besuar te titulli që në fillim. Është edhe një fazë kampionati dhe shpresoj të gabojmë sa më pak. Besoj shumë se mund ta fitojmë titullin, sepse, siç e ka thënë shpesh edhe trajneri ynë, Ilir Daja, Partizani është ekipi që ka më shumë kualitet në skuadër.

Partizani para ndeshjes me Bylisin. Gazeta Si, 12 prill 2021

Mund të na thoni ku ndryshon trajneri Ilir Daja nga Skënder Gega, me të cilin fituat titullin?
Çdo trajner ka mënyrën e vet të punës dhe strategjinë e tij të lojës. Kur fituam titullin me profesor Gegën, nuk është se ishim një ekip shumë spektakolar, por arrinim të merrnim rezultatin. Profesor Gega kishte pikë të fortë komunikimin me lojtarët, na motivonte për të na marrë maksimumin. Profesor Daja dihet kush është, ai është më i ekuilibruar dhe nuk kërkon që ne të kalojmë në aventurë. Ekipi, siç e thashë që në fillim, prodhon lojë dhe ka kualitet, ndaj nuk na mungon asgjë për titullin.
Cilin nga tre rivalët do të veçonit si më të fortin?
Për mendimin tim janë të gjithë njësoj, çdo skuadër ka karakteristikat e veta dhe ka shanse për titullin. Teuta për shembull, ka lojtarë me përvojë, të gjithë vrapojnë shumë dhe sakrifikojnë, pavarësisht se nuk bëjnë ndonjë lojë shumë të bukur. Edhe Laçi është skuadër e fortë, por në disa ndeshje nuk ka treguar atë që ne jemi mësuar të shohim. Personalisht, më pëlqen më shumë loja që bën Vllaznia dhe besoj se do të rivalizojë me ne deri në fund, edhe pse nuk përjashtoj asnjë rival. Gjithsesi, kam shumë besim se në fund trofeun e titullit do ta ngrejë Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë