Ne rrjet

Joe DioGuardi letër Presidentit grek: Shfuqizo dekretin e luftës

Joe DioGuardi, ish-kongresisti, themeluesi dhe drejtuesi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane i ka kërkuar Presidentit grek, Prokopis Pavlopulos që para se të largohet nga kjo detyrë të shfuqizojë dekretet e luftës me Shqipërinë.

Në letrën e hapur dërguar Presidentit grek, DioGuardi thotë se shfuqizimi i këtij dekreti, të miratuar që në vitin 1940 nga Greqia, që në atë kohë ishte mbretëri, nuk mund të kushtëzohet me asgjë tjetër dhe as mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mes dy vendeve.

“Shfuqizimi i këtij Dekreti është një çështje urgjente me rëndësi jetike për popullin e Shqipërisë dhe për paqen dhe sigurinë në Europën Jug-Lindore dhe nuk mund të zgjidhet përmes “negociatave”, ndonjë “marrëveshje paketë”, ose ndonjë programi shkëmbimi të diçkaje që kërkohet për diçka tjetër”, shkruan ai.

Ish-kongresisti me origjinë nga arbëreshët e Italisë ka kërkuar që shfuqizimi të jetë me fuqi prapavepruese, që do ta bënte këtë dekret nul.

“Nga ju, si President i Republikës miqësore greke, kërkohet një hap i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: të shfuqizohet ky ligj menjëherë, pa kushte dhe ex tunc, d.m.th në mënyrë retroaktive dhe sikur të mos ketë ekzistuar kurrë që nga dita e hyrjes në fuqi të tij”, vijon ai.

Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos është në fund të mandatit të tij presidencial

DioGuardi e sheh këtë akt si kontribut për forcimin e miqësisë mes dy popujve dhe test se Greqia me të vërtetë respekton të drejtën ndërkombëtare, ashtu sikundër publikisht udhëheqësit e saj pretendojnë. Për të ilustruar rëndësinë që ka ky hap, DioGuardi i referohet dhënies së famshme të ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan drejtuar Mikhail Gorbachov.

“Do ju kujtohet, zoti President, atë që i tha Presidenti ynë i madh Ronald Reagan Presidentit të BRSS në Berlin në 12 qershor 1987: “Z. Gorbaçov, SHEMBE KËTË MUR”. Pa dashur të bëj ndonjë krahasim me personalitete kaq të mëdha, lirisht dhe publikisht i bëj Shkëlqesisë tuaj një thirrje të ngjashme historike: Z. Pavlopoulos: GRISENI KËTË DEKRET MBRETËROR”, apelon ish-anëtari i Kongresit amerikan.

Letra është dërguar më 15 janar dhe kërkon shfuqizimin e dekretit numër 2636/1940 të Mbretërisë Greke që i shpalli luftë Shqipërisë, pas hyrjes së trupave italiane në Greqi. DioGuardi thotë se kjo nuk ka argument historik dhe si shembull sjell qëndrimin që ndoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Aneksimi i Shqipërisë nga mbretëria italiane nuk është njohur kurrë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara. Qeveria “kukull” e Shqipërisë i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara më 17 dhjetor 1941, por Shtetet e Bashkuara nuk i kanë shpallur luftë Shqipërisë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë