Lajme

Jo vetëm policia në stadium, e hëna vendos fatet e futbollit shqiptar

Dita e hënë, e caktuar për të zhvilluar mbledhjen mes aktorëve më të rëndësishëm të futbollit shqiptar dhe përfaqësuesve të qeverisë, pritet të jetë vendimtare. Çështja kryesore, që ishte dhe motivi i kësaj mbledhje, situata me sigurinë në stadiumet shqiptare pritet të jetë vetëm një nga temat e diskutimit. Në takimin paraprak mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka është rënë dakord që të trajtohen edhe disa probleme të futbollit tonë. Ligji për sportin, financimi i klubeve, borxhet e akumuluara dhe privatizimi i tyre janë vetëm disa nga temat e tjera që janë kërkuar nga FSHF dhe klubet që të trajtohen në këtë takim me kryeministrin Rama.

Ligji i sportit është një histori e vjetër për futbollin shqiptar dhe gjithmonë është kontestuar nga aktorë të ndryshëm edhe në sportet e tjera në vend. Nga presidentët dhe krerët e sportit tonë është kërkuar një përmirësim i këtij ligji, duke e amenduar, ose edhe hartimi i një tjetër ligji për sponsorizimin në sport. Pjesa më e madhe investitorëve nuk janë të njohur ligjërisht si zotërues të klubeve të tyre, por janë ende figurojnë si donatorë dhe rreziku i mosnjohjes së lekëve që ata derdhin çdo vit është shumë i madh.

Nga shumë prej krerëve të klubeve shqiptare, me në krye Sinan Idrizin e Flamurtarit gjithmonë është folur për të lëvizur këtë drejtim. Idrizi kërkon që të zhbllokohet çështja e privatizimit të klubeve dhe njohja e lekëve që ata investojnë në sport, duke iu ofruar atyre lehtësira në të tjera drejtime në bizneset e tyre. Me privatizimin e klubeve, futbolli ynë do të merrte rrugën drejt shndërrimit në një sport profesionist dhe konkurrues me vendet e rajonit, që në këtë drejtim janë shumë më përpara.

Duke qenë se pjesa më e madhe e klubeve shqiptare të futbollit rezultojnë me borxhe të akumuluara edhe kjo temë pritet të ceket në mbledhjen e së hënës. Një pjesë e mirë e këtyre ekipeve do të kërkojnë nga kryeministri Rama një amnisti të përgjithshme për të gjithë fondin e borxheve të akumuluara përgjatë gjithë viteve. Kjo do të ishte një faqe e re në histori, pasi të gjitha këto klube do të kenë mundësinë që ta nisin nga e para punën e tyre në drejtim të planifikimit financiar, duke iu dhënë kështu një shans më shumë.

Sakaq sa i përket çështjes së sigurisë në stadiume dhe rikthimit të uniformave blu, pritet që kjo çështje të ndërlidhet edhe me investimet në infrastrukturë, për shkak se pjesa më e madhe e këtyre impianteve kanë nevojë. Në komunikimin e saj të para disa ditëve, Policia e Shtetit specifikoi se vetëm dy stadiume janë të pranueshëm dhe ku ata mund të marrin përsipër ruajtjen e rendit, “Loro Boriçi” në Shkodër dhe “Elbasan Arena”. Të gjitha stadiumet e tjera kanë nevojë për investime për t’i sjellë ata në kushte dinjitoze dhe të pranueshme për të zhvilluar ndeshje të Kategorisë Superiore. Të gjitha këto problematike, por edhe të tjera pritet të diskutohen në mbledhjen e së hënës, ku për një pjesë të tyre do duhen zgjidhje imediate në mënyrë që kampionati të rifilloje dhe për të tjerat mund të hartohen projekte që mund të presin pak në kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë