Politike

Rama: 3 skenarë për vaksinimin, synimi është që të mbyllet për 14 muaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka 3 skenarë për vaksinimin, por synimi sipas tij është që të mbyllet për 14 muaj.

“Kemi garantuar 500 mijë doza. 10780 do vijnë në janar. Do vijnë rreth 30 mijë në shkurt. kemi parashikuar me tre skenar ta mbyllim për 14 muaj. Skenari  i dytë është 18 muaj, ndërsa në skenarin e tretë është në 24 muaj. Spanja tha se do e mbylli në vitin 2024 . Duam të jemi ambiciozë dhe ta mbyllim në 14 muaj. Ajo që po them është se ne në bazë të këtij plani jemi të vendosur se duke ecur me shpejtësi të shkëpusim hallka. Vaksinimi ka dy efekte tek personi dhe tek komuniteti për të mos përhapur. Janë 2.2 milion e përafërt që presin”  ka thënë Rama. 

Sipas Ramës kontrata e Pfizer do të bëhet publike, pasi do dërgohet në Parlament.

Por kryeministri Edi Rama tha se përveç Pfizer, Shqipëria është në bisedime edhe me dy kompanitë, AstraZeneca dhe Moderna, vaksinat e të cilave janë miratuar në SHBA, BE dhe Angli.

Duke folur në Top Channel, kreu i Qeverisë tha se për shkak të çmimit dhe të infrastrukturës ruajtëse që duan, Shqipëria nuk do të orientohet fort tek vaksina e Pfizer, por do të përqëndrohet edhe tek vaksinat e tjera.

Ai foli se vendi është në bisedime edhe me kompani që ende e kanë në fazë testuese vaksinën, si “Johnson & Johnson”. Rama tha se sa i takon kapacitetit ruajtës të Pfizer, Shqipëria mund të ruajë në të njëjtën kohë deri në 250 mijë.

Kreu i Qeverisë hodhi poshtë akuzat se fushata e vaksinimit nisi para kohe për të hequr vëmendjen nga darka e disa ministrave në Dubai.

“Është fatkeqësi e madhe. Nuk jemi për të folur për politikë, por për jetën dhe shëndetin e njerëzve, si mund të jetë propagandë kur vaksinohen ata atje në Infektiv ditë e natë?!”, tha ai.

Sa i takon platformës Covax, Rama tha se Shqipëria ka porositur 1.4 mln doza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë