Irena Beqiraj

Jo çdo gjë që numërohet, ka vlerë!


Nuk ka gjë më të mirë se rrjetet sociale në kohët e sotme! Aty shikon ndryshimin e njerzve nëpërmjet fotografive, aty uron për ditëlindje, aty ngushëllon për humbjen e njeriut të dashur, aty lexon opinione , aty bëhet politikë, aty votohet .

Me një sy të kujdesshëm aty mund të dallosh cinikun, të lënduarin, të kënaqurin me veten, atë që ka humbur besimin, sipërfaqësorin, pragmatistin , idealistin, racionalistin ( që racionaliteti i tij vlen sa racioni i sotëm ), por vështirë të gjesh një mendim që do ti vlejë të nesërmes.

Aty shikon budallallepsjen nga arsyetimi i zakonshëm “ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël”, apo në Romë bej siç bëjnë romakët".

Aty shikon sesi intelektualizma shqiptare është mbushur me subjekte që kur të mos jenë më në këtë botë, vështirë do ti kujtojë ndonjë bashkëohës i mbetur gjallë në mëhallë, ndonjë studiues plagjiaturë, apo koleksionist fotografish.
Aty shikon sesa pak vizion ka vërdallë, sa shumë proklamime edhe protagonizëm pa vlerë e pa mesazh.

Aty shikon sesi profesora e avokatë, ekonomistë, etj komentojnë çfarë tha për Shqipërinë një burokrat në Amerikë, apo në BE. Kë mbeshteti , nga do fryjë era nesër ?
Aty numërohen pëlqimet, komentet edhe shpërndarjet, të cilat kane vlerë sa ka vlerë pasuria e vendosur në lojën “Monopoli”.

Aty bindesh se numërimi është i vetmi proces që ka vlerë .

Edhe i them sime bije, aty ku nuk ka mendje krijuese, vizionare, që shikojnë nga e ardhmja, por vendosin mbi parimin “bukën e përditshme falna sot” aty ku populli ka 100 vjet me pantallona ndër këmbë sepse kurrë nuk pati nxjerrë intelektualë me aq mend sa për të lidhur sikur vetëm oshkurin e tyre, aty ku presim një Mesi ndërkombëtare të mbaj anë e të na zgjidhë. Aty çdo gjallesë vlen vetëm për numërim, për statistikë .

Këto gjallesa vlejnë vetëm ti numërosh, ti shprehësh në përqindje, në mesatare, e shpërndarje probabilitare, por nuk mund ti konsiderosh.
Në çdo numërim e ke të thjeshtë të kuptosh që, jo çdo gjë që numërohet ka vlerë .


Copyright © Gazeta “Si”