Biznes

Jeta rinisi në Tiranë, këmbadoras

Në këto dy tavolina, tek bar “Krem Kafe” pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, janë pjesëtarë të së njëjtës familje.

Kanë vendosur të qëndrojnë në dy tavolina të ndara për t’u ruajtur.

Në fakt bashkëshorti ka vendosur të kujdeset për të shoqen sipas tij, vetë është ulur ngjitur me mikun…

Këtë më shpjegon kamarieri i sjellshëm, i cili është i kënaqur që ka nisur puna, por në siklet me maskën dhe dorezat. Është në fazë përshtatjeje.

“Po përpiqemi ti respektojmë rregullat, por është e sikletshme të komunikosh me klientin me maskë. Tani që është vapë, të merret fryma. Por shyqyr që nisëm, se ky lokali përpara  pandemisë, dy muaj kishte që ishte hapur pasi ishte rikonstruktuar dhe kishte ndërruar pronar. Na ra shumë keq.”- thotë kamarieri.

Ai më shpjegon se shpenzimet kanë qenë të mëdha për rihapjen, por problem është klientela, që “përpos se jemi me gjysmën e kapacitetit për shkak të protokollit të sigurisë, por klientela më e madhe; studnetët, gjimnazistët, nuk janë. Shpenzimet janë të mëdha. Përpos dezinfektimit, masakve, dorashkave, dezinfektantëve, kafenë po e srevirim në gota plastike për të cilën duhet ta kishim shtuar me 10 lekë çdo kafe apo makiato, por nuk e kemi bërë”.

Teksa në ditë normale “Krem Kafe” qendronte plot si në mjediset e brendshme dhe  të jashtme, sot me dhënien e dritës jeshile pas më shumë se dy muaj bllokim punës së bareve dhe restoranteve, kishte vetëm 5 tavolina në mjediset e jashtme.

Ani tek “Trinity” është optimist.

“Nisëm. Për momentin nuk ka shumë njerëz sepse janë në punë, por kafenë e mëngjesit erdhën ta pinin disa. Unë  nuk perceptoj frikë tek njerëzit. Shumica vijnë pa maska dhe pa doreza. Ne jemi të detyruar t'i mbajmë dhe  po e respektojmë protokollin, por është e vështirë”- shprehet Ani.

“Trinity” është një lokal mes Komunës së Parisit dhe Kodrës së Diellit, kryesisht i frekuentuar nga të rinjtë. Në periudhë normale që në mëngjes vëren muzikë të lartë sepse është plot me të rinj. Sot në orën 9 kishte 6-7 tavolinë me klientë në mjediset e jashtme të lokalit sipas rregullave që detyrojnë mosfunskionimin e mjedisve të brendshme të bareve  dhe restoranteve.

Edhe tek lokalet përbri Univeristetit të Arteve mungonte glimi. Kishte njerëz që kishin bujtur për t'iu rikthyer normalitetit, por një normaliteti të ri, të paktën për sot.

Jeta ka rinisur, “qepenat” janë ringritur, por duket sikur kanë peshuar shumë rëndë.

Ajo gumëzhima e Tiranës është diku në një cep që të gjithë presin të shpërthejë. Por sot, jeta edhe në Zonën e Ish Bllokut, i cili para pandemisë ishte simbol i gjallërimit dhe gëlimit të jetës, ishte  si një fëmijë që po mësonte të ecte këmba-dora.

“Ç’e pyet. Sot ishte si dita e parë e shkollës. Sot pritej ose fluks prenotimesh, ose bujtje në restorant. Unë kam dy rezervime të pakonisderueshme, duke marrë parasysh edhe orarin e kufizuar. Po punojmë me 1/3 e kapacitetit. Kam 20 vjet në sektor dhe është hera e para që nuk kam as parashikim, as perceptim, as nuhatje, asgjë. Nuk dimë se si do të shkojë. Nuk ka likuiditet në treg, kjo është më shqetësuesja.”- thotë Enri Jahaj, sipërmarrës i një restoranti që kategorizohet në biznes të madh, por njëkohësisht edhe  Kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Shkoj tek Bar-Restorant “Ejona” me shpresën që do gjeja klientë sepse stina do të favorizonte ardhjen e klientelës në kopshtin e bukur të restorantin.

Klientja e parë në orën 10 qeshë unë.

Në një tavolinë gjej Brunon dhe më pas vjen Ina, të zotët e restorantit.

“Ne ndjehemi sikur është dita e parë fare që kemi hapur një restorant”- më thotë Bruno.

Mandej Ina më rrëfen pesimizmin e saj me fakte. Parashikimi i saj për të ardhmen e afërt është i zymtë. Ajo në dy muaj bllokim të punës për shkak të pandemisë ka humbur 20 mijë euro dhe 8 punonjës.

Një pjesë e tyre nuk është rithyer në punë për shkak se nuk kanë me kë të lënë fëmijët.Përgjigja pozitive për pagën e luftës ka qenë një Odise më vete.

“Na janë aprovuar pagat e luftës, por nuk i kemi marrë ende”- thotë Ina, e cila më shpjegon se ishte një karvan I gjatë peripecishë për t'i përfituar; “unë nuk i kisha hequr punonjësit nga listpagesat. Nuk doja të besoja që do zgjaste  kaq. Për këtë arsye hodha  poshtë edhe të gjithë mallin që kisha brenda në restorant, sepse mendoja se do të ktheheshim herët.”

Ajo ka shpenzuar vetëm për “ngritjen e qepenit” 100 mijë lekë (të reja) mes lyerjes, dezinfektimit dhe produkteve shtesë të urdhëruara nga protokolli.

“Unë e parashikoj zymtë. Nuk di se sa kosto shtesë do të kem në muaj, do ët varet nga klientela, por që jemi shumë të dëmtuar dhe nuk ia dimë fillin. Do të provoj edhe me shpërndarje, të shoh si do të shkoj”- thotë Ina e cila shërbimin e delivery do ta kryejë për herë të parë.

Deri në orën 10: 30 ajo nuk kishte asnjë rezervim. “Nuk ka para në qarkullim. Njerëzit kanë humbur punën”- thotë ajo.

Nga shetitja nëpër Tiranë të  ngjante sikur njerëzit kishin vendosur të shpërndaheshin vetë në një mënyrë që të gjithë baret të  ishin të frekuentuar, sikur shkoje për vizitë në një shtëpi të re. Ndieje dëshirën për të lënë bakshish më shumë se zakonisht, ndjeje keqardhje për bizneset që me taksat e tyre mbajnë ekonominë, qarkullojnë paranë dhe bëjnë jetën të gumëzhijë.

Në Tiranë kishte dëshirë për të jetuar, njerëzit këmba-dorës po ia japin frymën kryeqytetit, por do pak kohë të rindizet entuziazmi dhe të gumëzhijë si më parë.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë