Rend dhe Ligj

Jep dorëheqjen Qeleshi, kryetarja e Gjykatës Durrës i shpëton Vettingut

Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dorëheqjen e kryetares së Gjykatës së Rrethit Durrës, Joana Qeleshi. Sipas burimeve të Gazeta Si, Qeleshi ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen pranë organit të ri të drejtësisë, duke dhënë edhe motive personale. Në letrën e paraqitur pranë KLGJ-së mësohet se Qeleshi do të angazhohet në një aktivitet privat si juriste. Kryetarja e Gjykatës së Rrethit Durrës është pjesë e procesit të vlerësimit kalimtar, i njohur ndryshe me emrin Vetting. Data e daljes në seancë ishte përcaktuar në kalendar dhe paraqitja në seancë dhe kjo mendohet se është edhe arsyeja e paraqitjes së dorëheqjes së Qeleshit, me qëllimin për të mos u publikuar gjetjet e saj.
Vendimi për t’u tërhequr sjell automatikisht edhe përjashtim e Qeleshit nga sistemi i drejtësisë për të paktën 15 vite dhe sipas ligjit nuk do të lejohet asnjë detyrë tjetër shtetërore. Mbledhja e KLGJ-së është kryer gjatë këtyre ditëve dhe se nuk është njoftuar sipas procedurës.
Qeleshi që në korrik të 2013 u caktua si kryetare e kësaj gjykate është përfolur në media edhe si avokatja e biznesmenit Damir Fazlliç, i njohur si miku i ish-kryeministrit Sali Berisha. Këto akzua, Qeleshi i ka hedhur poshtë ato.
Gjykata e Rrethit gjyqësor të Durrësit u vu në shenjëstër kohët e fundit për vendimet e marra. I pari kishte të bënte në lidhje me mandatin e kryetares së bashkisë së Durrësit, ku fillimisht u refuzua kërkesave e kandidates socialiste Valbona Sako për njohjen e rezultatit të 30 qershorit. Ndërsa më pas PS-ja paraqiti sërish kërkesën në të njëjtën gjykatë duke bërë që një tjetër gjyqtar të certifikonte Sakon si kryetare të bashkisë së qytetit bregdetar. Ndërsa një debat jo i vogël u bë për ish-kreun e Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula, ku pati akuza të shumta nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe. Konflikti dhe gjyqet për ish-kryetarin e Hipotekës solli dhe deklaratën e bujshme të kryeministri Rama në Parlament, i cili u shpreh se ka gjyqtarë dhe prokurorë që përfshihen në grupin “Kap ça të kapësh” duke abuzuar me drejtësinë dhe me vendimet pasi janë të bindur se nuk e kalojnë procesin e Vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë