Libra

‘Jemi populli më erotik në botë’… Autorja e ‘Kangë popullore erotike’: Pse dua ta promovoj librin në Shkodër

Nga Luljeta Nelallari - “Erotika është po aq heroike sa temat e luftës dhe ato të fesë”, do të shprehej artisti ekspresionist austriak, Egon Schiele.

E mbyllur brenda shtëpisë së secilit, erotika (edhe pse një art i tillë ka qenë përherë pasuri e artit shqiptar) në lirikën popullore nuk ekziston, duke u konsideruar tabu.

Vlora Nikçi, aktorja kosovare shumë e dashur për publikun, që duket se diku në zemër e ka pasur gjithmonë të fshehur dëshirën për këngët erotike, para 3 vitesh do të pasuronte literaturën shqiptare me librin “Kangë popullore erotike”.  

Vlora tanimë si mbledhëse e folklorit, e cila ndërmori një rrugëtim jo të lehtë që jo vetëm t’i gjurmojë këto këngë, por edhe t’i sjellë të përmbledhura, do t’i promovonte ato mbrëmjen e së premtes (16 qershor) në qytetin e dashurisë dhe kulturës, në Shkodër.  

“Që kur ka dalë libri, Shkodrën e kam pas në mendje. Shkodra ndër nesh është qyteti i dashurisë, humorit dhe kulturës dhe mendoj se ky libër i rri më së miri këtij qyteti, por kam pas frikë të vij në një qytet me përmasa kaq të mëdha kulturore. Në njëfarë mënyre nëse këtu ‘kalon’ libri, atëherë do ta kaloj edhe ylberin”, shprehet Vlora Nikçi për Gazetën “Si”.

Vlora Nikçi

Libri përmban disa këngë, këngë të vjetra, që ajo i ka dëgjuar si shumë të tjerë, por, ndryshe prej të tjerëve, duke përfshirë edhe folkloristët vetë, pati lirinë e brendshme t’i rendiste e t’i botonte.

Vlora Nikçi thotë se me këtë libër arrita të kuptoj se jemi populli më erotik në botë.

“Kam filluar për disa vite hulumtimin për gjetjen e subjekteve për mbledhjen e materialit. Kam vizituar shumë fshatra të Malësisë dhe për disa vite kam përmbledhur këtë vëllim. E di se vendi ynë është shumë i pasur me erotikë që do të thotë se ka më shumë se kaq, por unë arrita atë që desha, tregova që ne jemi populli më erotik në botë edhe pse si trima na njeh bota, por si erotik ishte befasi për ta”, rrëfen më tej Vlora për Gazetën “Si”.

Duke e lidhur dhe me profesionin e saj të parë, aktrimin, Nikçi thotë se skenat e dashurisë nuk përfundohen, ndaj ajo i ka thyer tabutë me anë të letërsisë, ku siç shprehet vetë ajo “duheshin hapur ca letra e dollapë të moçëm për të shpërfaqur një erotikë fort të pasur”.

“Ne aktorët shqiptarë trashëgojmë një trashëgimi kulturore gjysmake sa i përket erotikës. Skenat tona të dashurisë, si në shfaqje po ashtu edhe në filma nuk kanë qenë të përfunduara, ashtu si e lyp natyra njerëzore. Gjithnjë është shpikur një temë e re për t’iu ikur përfundimeve të bukura skenike të dashurisë. Ky ‘sindrom’ i frikës nga dashuria më ka kapur edhe mua si gjeneratë më e re e aktorëve. Por kjo mua më ka penguar shumë, sepse ky paragjykim ma gjymtonte personazhin që doja ta krijoja dhe ma këpuste shpirtin. Dhe gjithnjë kam menduar se për të thyer këtë qasje duhet nisur nga rrënjët e kulturës tonë. Duhen hapur ca letra e dollapë të moçëm për të shpërfaqur një erotikë fort të pasur, e cila do të ndërrojë pikëpamje të ngurta e do hapë sy të sinqertë dhe kështu ndodhi”, shprehet më tej mbledhësja e folklorit dhe aktorja Vlora Nikçi.

Një ndër ndjesitë më të mira që i ka dhënë botimi i këngëve të tilla, këngë të padëgjuara ndonjëherë nga shumë qytetarë shqiptarë, por të mbijetuara nëpër kohëra duke u kënduar brez pas brezi, është se ky lloj arti është vetë qenia njerëzore.

“Njeriu lind me muzikën dhe dashurinë në vete, prandaj erotika është thelbi i të jetuarit. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse librin e kane përqafuar të gjitha moshat”, thotë Nikçi.

Ajo kujton edhe komentin më të bukur që ka marrë për librin që prej botimit të tij.

“’Me këtë libër na e ke heq turpin për të dashuruar dhe përjetuar’, ky është komenti më i bukur dhe më i shpeshtë që kam marr, i cili ngjason me misionin e këtij libri”.

Sipas Vlora Nikçit, çdo njeri e do të bukurën, dashurinë dhe sensualitetin, andaj ky libër që vjen si pjesë e munguar e trashëgimisë gojore shqiptare, i shërben dhe i jep mesazhe çdokujt.

“Dashuro dhe përjeto, mos u tut, mos ki frike nga askushi. Dashuria është kulturë morale dhe etike”, përfundon Nikçi për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë