Mjedis

Jeff Bezos premton 10 mld dollarë për të luftuar ndryshimin e klimës

Drejtori Ekzekutiv i “Amazon.com” Jeff Bezos premton 10 miliardë dollarë për të filluar një fond të ri në luftën kundër ngrohjes globale. Kjo është lëvizja më e madhe filantropike deri më sot nga njeriu më i pasur në botë.

Z. Bezos, i cili njoftoi fondin e ri në llogarinë e tij në Instagram të hënën, tha se Fondi “Bezos Earth Fund” do të ndihmojë shkencëtarët, aktivistët, organizatat joqeveritare dhe çdo përpjekje tjetër që ofron një mundësi reale për të ndihmuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e botës natyrore.

Z. Besos i cili dha pak detaje në lidhje me fondin, tha që do të nisë të japë grante këtë verë.

"Ndryshimi i klimës është kërcënimi më i madh për planetin tonë," shkroi Z. Bezos. "Unë dua të punoj së bashku me të tjerët për të forcuar mënyrat e njohura e shpëtimit të planetit si dhe për të eksploruar mënyra të reja për të luftuar ndikimin shkatërrues të ndryshimeve klimaterike."  

Z. Bezos nuk specifikoi nëse ai planifikon të krijojë një fondacion filantropik apo kërkon të japë fonde për grante përmes një entiteti tjetër. Një zëdhënës i Amazon konfirmoi se premtimi është i vërtetë, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj shtesë mbi planet e Z. Bezos.

Nëse ai përpiqet të krijojë një fondacion, ky do të ishte një nga më të mëdhenjtë në Sh.B.A, si dhe një nga angazhimet më thelbësore financiare për të luftuar ndryshimin e klimës.

Ndryshimi i klimës është bërë një fokus kryesor i shumë prej fondacioneve më të mëdha filantropike të Sh.B.A-së dhe është një çështje qendrore për Bill Gates, bashkëthemeluesin e Microsoft Corp., fondacioni i të cilit, “Bill & Melinda Gates Foundation”, është organizata më e madhe filantropike në Sh.B.A. nga vlera e aktiveve.

Z. Bezos është investitor dhe anëtar i bordit të “Breakthrough Energy Ventures”, një fond prej 1 miliardë dollarësh i bashkë-kryesuar nga Z. Gates dhe filantropi John Arnold. Fondi synon të investojë në teknologjinë eksperimentale të energjisë së rinovueshme.

Fondi tjetër i madh i Z Bezos është “Bezos Day One Fund” që u iniciua në 2018-ën me premtimin për të investuar 2 miliardë dollarë drejt financimit të OJF-ve që ndihmojnë familjet në nevojë dhe krijojnë kopshte me arsimim parafillor në komunitete me të ardhura të ulta. Ai gjithashtu është shprehur se dhe investimin prej 1 miliardë dollarë në “Blue Origin” e sheh si një përpjekje të rëndëishme bamirësie.

Angazhimi i tij për ngrohjen globale vjen pas një premtimi ambicioz që Amazon bëri këtë vjeshtë pasi punonjësit aty dhe tek gjigantët e tjerë teknologjikë u bënë thirrje udhëheqësve të tyre për të bërë më shumë ndaj rrezikut të ndryshimit klimaterik.

Punëtorët e Amazon kanë qenë kritikë për ndikimin mjedisor të kompanisë. Një grup i quajtur “Punonjësit e Amazon për Drejtësinë e Klimës” ka bërë presion të vazhdueshëm mbi kompaninë për të ndërmarrë më shumë veprime mbi ngrohjen globale, duke demonstruar jashtë selisë së saj në Seattle dhe duke i shkruar letra të hapura kompanisë.

Amazon, e cila dërgon miliarda pako çdo vit, tha në shtator se do të punojë për të zvogëluar emetimet që gjeneron nga përdorimi i aeroplanëve, furgonëve e kamionëve për transportimin e  pakove në të gjithë botën. Kështu kompania planifikon të porosisë 100,000 automjete që furnizohen me energji elektrike.

Një element tjetër i premtimit është që të jetë "karbon neutral" deri në vitin 2040. Për kompanitë, të jesh “karbon neutral” do të thotë të mos kesh lëshim të dioksidit të karbonit në atmosferë.

Pasi angazhimit prej 10 miliardë dollarëve të Z. Bezos që u njoftua të hënën, Punonjësit e Amazon për Drejtësinë e Klimës thanë që e përshëndetin përpjekjen por i bënë thirrje kompanisë të bëjë edhe më shumë.

“Kur do të ndalojë Amazon së ndihmuari kompanitë e naftës dhe të gazit së shkatërruari Tokën me më shumë puse nafte e gazi?”, tha në një deklaratë grupi pro ambientit. Grupi ka qënë kritik i punës së Amazon me kompanitë e gazit dhe naftës përmes shërbimeve në re të Amazon Web Services. 

Vitin e kaluar, bizneset amerikane nënshkruan një marrëveshje për një rekord 9.3 gigawat të energjisë së rinovueshme, sipas Aleancës së Blerësve të Energjisë së Rinovueshme.

Firma teknologjike si Microsoft e Alphabet i janë bashkuar Amazon në realizimin e premtimeve për mbrojtjen e klimës dhe planetit gjatë muajve të fundit. Kompanitë e mëdha kanë thënë që angazhimet për të frenuar emetimet e gazit të serrës dhe për të blerë energji të gjelbër janë bërë esenciale për ato e madje e për punonjësit e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë