Futboll

Java 2 e Superiores, 2 supersfida dhe një derbi

Pas nisjes në mesjavë, luhet sot java e dytë e Kategorisë Superiore, me 4 ndeshje që do të zhvillohen në orën 13:45 dhe një tjetër në orën 16:45. Në këto ndeshje, spikasin më së shumti sfidat mes Tiranës dhe Teutës në Pogradec, e Kukësit me Partizanin në Shkodër. Bardheblutë e filluan sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme teksa ia dolën të mposhtnin Kukësin me rezultatin 2-0 dhe kërkojnë t’i japin vazhdimësi suksesit të fundit. Kryeqytetasit, këtë herë do të luajnë në Pogradec. Përballë bardhebluve do të jetë Teuta, e cila po ashtu këtë sezon ka synime të mëdha. Mirëpo, përballë të besuarve të trajnerit Edi Martini nuk do të jetë e lehtë pasi janë ata që kryeqytetasit, i kanë mposhtur në tre ndeshjet e fundit duke iu fituar edhe finalen e Kupës si dhe atë të Superkupës.

Ndërkohë, Kukësi dhe Partizani janë mposhtur në ndeshjet e para dhe do të kërkojnë reagimin për t’u rikthyer në rrugën e duhur. Verilindorët këtë sezon kanë ndryshuar rrënjësisht, ndërsa Partizani i Ilir Dajës është me të njëjtin grup futbollistësh si në sezonin e kaluar, por kanë një plus si Jasir Asani. Në mungesë të stadiumit, nënkampionët kanë zgjedhur "Loro Boricin" për të luajtur këtë përballje. Skuadrat ende nuk duken ende në formën ideale, por një ndeshje e tillë është shumë duke marrë në konsideratë që të dyja ekipet pretendojnë vendet e para në klasifikim.

Në Korçë vizitore do të jetë Vllaznia. Kuqeblutë duan të shfrytëzojnë moralin e mirë pas fitores me Apoloninë, por nuk do ta kenë të lehtë ndaj skuadrës së drejtuar nga Julalian Ahmataj, që pretendon të marrë maksimumin në ndeshjen e parë në shtëpi Në ndeshjet e tjera, Laçi pret në shtëpi Kastriotin dhe shihen si favoritë për të marrë fitoren, ndërkaq në Fier, Apolonia vendase pret Bylisin, derbi që rikthehet pas 8 vitesh.

13:45 Apolonia-Bylis

13:45 Tirana-Teuta

13:45 Kukësi-Partizani

13:45 Laçi-Kastrioti

16:45 Skënderbeu-Vllaznia


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë