Futboll

Jasir Asani më i lakmuari në merkato nga kuqezinjtë, që në janar me skuadër të re

Gazeta Si – Tre eurogolat e shënuar me fanellën e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024, por edhe fakti që është titullar i padiskutueshëm i Silvinjos, kanë rritur ndjeshëm vlerën në treg të Jasir Asanit. Ish-lojtari i Partizanit, sipas të gjitha gjasave, në janar do të lërë Korenë, ku luan aktualisht, për t’u kthyer në Europë.

Sulmuesin anësor mësohet se janë disa klube nga kampionatet më të forta të Europës që po e ndjekin. E majta e tij magjike duket se i ka bërë për vete.

Jasir Asani feston golin ndaj Polonise. Gazeta Si, 24 nentor 2023

Fanella kuqezi ka qenë reklama më e mirë për Asanin, i cili publikisht ka pohuar se gjithçka ia dedikon trajnerit Silvinjo që ia dha këtë mundësi. Tani është momenti që lojtari të veshë një fanellë më prestigjioze në Europë. Ai vetë ka pranuar se ka oferta dhe në merkaton e dimrit mund të puqen kushtet për një transferim të bujshëm.

Të tjerë lojtarë të Kombëtares në shënjestrën e klubeve të mëdha janë Ylber Ramadani dhe Mirlind Daku. Ramadani shihet si një alternativë e mirë për Interin, lajmi ka kohë që qarkullon, ndërsa Daku mund të largohet nga Rusia gjatë verës së ardhshme. Po ashtu, edhe për Mario Mitajn, një tjetër ‘zbulim’ i Silvinjos, interesimi është më i madh tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë