Sport

Japonia mund të ndryshojë orën për Lojërat Olimpike

Japonia është duke konsideruar të ndryshojë orën e saj zyrtare për të kursyer më shumë dritë të ofrojë kushte më të mira për atletët që do të garojnë në Olimpiadën e vitit 2020.

Propozimi është që të shtyhet përpara me dy orë, orën zyrtare. Por kjo iniciative ka hasur në një kundërshtim të ashpër të shumë qytetarëve japonez në rrjetet sociale, të cilët janë shprehur të shqetësuar lidhur me friken se kjo gjë mund të sjellë si pasojë më shumë orë punë.

Nga temperaturat mjaft të larta gjatë kësaj vere në Japoni kanë ndërruar jetë më shumë se 120 vetë. Qeveria japoneze është duke e menduar seriozisht këtë propozim, pasi në këto temperatura pas dy vitesh do të ishte gati e pamundur të garohej.

Nëse do të përsëriten temperaturat e këtij viti edhe pas dy vitesh, Lojërat Olimpike të Tokios mund të bëheshin si më të nxehtat e këtij kompeticioni sportiv ndër vite.

Ende nuk kemi marrë një vendim. Qeveria në bashkëpunim me të gjitha entet publike të interesuara në këtë proces janë duke punuar që për të gjetur një zgjidhje ideale që mos të dëmtojë askënd”, ka thënë Yoshihide Suga sekretari i kabinetit të qeverisë japoneze.

Më herët zyrtarët më të lartë të Komitetit Olimpik ndërkombëtar i kanë kërkuar kryeministrit Shinzo Abe që të ndryshojë orën, për t’ju ardhur më shumë në ndihmë sportistët që do të garojnë nga e gjithë bota.

Sipas tij mund të merren masat për sportet që zhvillohen në salla të mbylluara, por do të jetë e pamundur të manovrohet me ato sporte që zhvillohen në ambiente të hapura, siç për shembull është gara maratonë.

Tek organizatorët e Olimpiadës shqetësimi është serioz se në rast të përsëritjes së këtyre temperaturave në Japoni mund të ketë sportistë që të lëndohen apo të rrezikojnë jetën.

Propozimi është në tavolinë dhe pritet që brenda muajve të ardhshëm Japonia të dalë më një vendim zyrtar për ndryshimin e orës. Ndryshimi i fundit i orës në Japoni ishte bërë në vitin e largët 1952.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë