Bota

Izraeli: Udhëheqësit e Hamasit brenda dhe jashtë Gazës janë të vdekur që ecin në këmbë!

Gazeta Si - Jonathan Conricus, një nga zëdhënësit e ushtrisë izraelite, e përkufizoi "kupolën" e Hamasit, brenda dhe jashtë Gazës, si njerëz "të vdekur që ecin në këmbë".

“Objektivi është sigurisht vrasja ose kapja e të gjithë liderëve të Hamasit”, tha ai, i intervistuar nga “Sky News” në Australi, “ata që planifikuan, lehtësuan dhe kryen masakrën vrasëse të 7 tetorit në Izrael. E thamë qartë: të gjithë po ecin të vdekur. Dhe është vetëm çështje kohe brenda dhe jashtë Gazës përpara se këta liderë të Hamasit të kapen ose të vriten nga Izraeli”.

Ndërkohë, numri i njerëz që u larguan nga Rripi i Gazës përmes Egjiptit u rrit të martën, një ditë pasi pikëkalimi Rafah u rihap.

Së paku 500 njerëz, shumica të huaj apo shtetas me dyshtetësi kaluan përmes Rafahut, pikëkalimit të vetëm që nuk është në kufi me Izraelin, sipas burime të sigurisë egjiptiane, raporton Associated Press.

Evakuimi përmes këtij pikëkalimi ishte pezulluar të shtunën dhe të dielën, pasi një ambulancë që po shkonte drejt Rafahut u godit nga një sulm ajror izraelit.

Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Egjipti po e vazhdon trysnin për rritjen e ndihmave dhe karburantit, si dhe të sigurisë për ambulancat në Rripin e Gazës.

Ministria e Jashtme e Jordanisë tha se 262 jordanezë u evakuuan të martën, nga 569 të tillë sa kishin ngecur në Gazë pas shpërthimit të luftimeve atje.

Kanadaja tha se 59 qytetarë të saj, banorë të përhershëm dhe familjarë, u evakuuan.

Po ashtu, 19 banorë të Gazës që kishin nevojë për mjekim u lejuan ta kalojnë kufirin. Ata iu bashkuan dhjetëra të tjerëve që janë duke u mjekuar nëpër spitalet e Egjiptit.

Vendet e tjera shtetasit e të cilëve morën dritën jeshile për t’u larguar nga Gaza të martën ishin, Rumania, Gjermania, Moldavia, Ukraina, Filipinet dhe Franca, sipas autoriteteve kufitare të Gazës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë