Bota

Izraeli rrethon dhe izolon nga shërbimet Rripin e Gazës, thërret nën armë 300 mijë rezervistë

Gazeta Si - Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka urdhëruar një "rrethim të plotë" të Rripit të Gazës. “Kam urdhëruar një rrethim të plotë: nuk do të ketë energji elektrike, ushqime, benzinë. Gjithçka është e mbyllur”, shtoi Gallant pas një konsultimi për sigurinë në Komandën Jugore në Beersheba.

"Ne po luftojmë kafshët njerëzore dhe do të sillemi në përputhje me rrethanat," tha ai, cituar nga media.

Sakaq, Izraeli ka thirrur rreth 300.000 ushtarë rezervistë si përgjigje ndaj sulmit befasues nga militantët e Hamasit, njoftoi të hënën një zëdhënës i Ushtrisë së Izraelit.

Ushtria e përshkroi këtë thirrje si më të madhën në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër. Hamasi, i cili kontrollin Rripin e Gazës, e nisi sulmin e fuqishëm befasues ndaj Izraelit të shtunën.

Më herët, ushtria e Izraelit ka bërë të ditur të hënën se ka marrë kontrollin e të gjithë komuniteteve rreth Gazës.

Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vranë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi.

Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.

Ka shqetësime të mëdha për fatin e më shumë se 100 izraelitëve, të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

Izraeli deklaroi luftë formalisht të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.

Ndërsa, drejt kufirit u dërguan luftëtarë në sulm që Izraeli nuk e ka parë që nga Lufta e Pavarësisë në vitin 1948.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë