Bota

Izraeli rimerr kontrollin e kufirit në Gaza, Hamasi: Do vrasim një peng për çdo sulm

Gazeta Si - Izraeli ka siguruar kufirin me Gazën pasi militantët thyen barrierën në disa vende të ndryshme të shtunën. Asnjë militant nuk ka kaluar gardhin sipas ushtrisë izraelite gjatë ditës së kaluar.

Ndërkohë, Hamasi tha se pengjet civile do të ekzekutoheshin dhe vrasjet do të transmetoheshin nëse Izraeli synon Gazën pa paralajmërim.

Organizata terroriste paralajmëroi se për çdo sulm ajror të Izraelit, do të vriste një peng të kapur gjatë mësymjes së të shtunës në kufirin me Gazën.

Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë hyrje të militantëve.

Sipas tij, inxhinierët janë duke minuar zonat ku disa pjesë të gardhit u shkatërruan. Militantët e Hamasit kaluan gardhin në disa vende të ndryshe para sulmit të së shtunës.

Sakaq, ushtria izraelite tha se trupat e 1500 militantëve të Hamasit janë gjetur në Izrael rreth Rripit të Gazës.

Sipas autoriteteve izraelite evakuimi i të gjitha komuniteteve rreth Rripit të Gazës është kompletuar pothuajse.

Ushtria izraelite ka këshilluar çdo palestinez që të largohet nga Gaza për në Egjipt, shkruan BBC.

“Jam në dijeni se pika e kalimit në Rafah, është ende e hapur”, tha koloneli Richard Hecht.

“Çdokush që mund të dalë, do ta këshilloja të ikte”, tha ai.

Kalimet në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës janë litar shpëtimi për palestinezët

Forca Ajrore e Izraelit ka deklaruar se ka goditur 200 baza të Hamasit në Gaza.

Sipas të dhënave që kanë publikuar vetë autoritetet thuhet se janë goditur zonat në Rimal dhe Khan Yunis.

Sipas tyre janë shkatërruar baza kontrolli dhe komandimi, një depo armësh që sipas tyre ishte brenda një xhamie dhe shtëpinë e një komandanti të dyshuar të Hamasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë