Ne rrjet

Izraeli publikon itinerarin dhe vendndodhjen e njerëzve të prekur nga koronavirusi

Izraeli ka raportuar zyrtarisht rreth 130 persona të prekur nga koronavirusi i ri dhe për të gjitha rastet, Ministria e Shëndetësisë ka ruajtur anonimatin e personave në fjalë, por ka bërë publike të gjitha lëvizjet e tyre në vendet publike.

Në lidhje me këtë publikim ka pasur kritika të zbehta se mund të zbulojë identitetin e personave dhe të infektuar dhe t’i vendosë ata nën presionin e mediave dhe të publikut, por autoritetet mbrojnë vendimin duke deklaruar se të gjitha lëvizjet e kryera në 14 ditët e fundit nga personat në fjalë publikohen që të ndihmojnë qytetarët e tjerë që të mësojnë nëse kanë patur kontakt apo jo me ta.

Publikimi i itinerareve shoqërohet gjithmonë me thirrjet e Ministrisë së Shëndetësisë që u drejtohet personave që dyshojnë se kanë kontaktuar me të infektuarit që të vetëngujohen për 14 ditë.

Izraeli nuk ka marrë masa të ashpra shtrënguese, apo kufizimi lëvizjeje, përveç këshillës që u jepet qytetarëve që mbërrijnë në vend nga vendet e prekura me fort nga koronavirusi. Por, Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se qeveria po shqyrton mundësinë që të vendosë në karantinë të detyruar të gjithë personat që hyjnë në Izrael, pavarësisht shtetësisë së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë