Bota

Izraeli kryen sulme ajrore vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor

Gazeta Si - Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ahmed Abdullah Abu Shalal, i cili sipas ushtrisë izraelite ishte përgjegjës për infrastrukturën dhe kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jeruzalem, ishte në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e së mërkurës në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë parandaluar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes. Kjo organizatë tha përmes rrjeteve sociale se “të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve tona”.

Ushtria izraelite pretendoi se Abu Shalal dhe celula e tij planifikonin të kryenin një sulm dhe kishin marrë fonde dhe udhëzime nga burimet iraniane”. Ushtria nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor. /REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë