Bota

Izrael, protesta dhe përplasje me policinë pas miratimit në Parlament të reformës në drejtësi

Gazeta Si - Protesta në Izrael, ku manifestuesit antiqeveritarë bllokuan autostradën Ayalon, në Tel Aviv, pasi Parlamenti ka miratuar projektligjin për reformën gjyqësore të kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Projektligji u miratua me një votim 64-0, pasi ligjvënësit e opozitës braktisën sallën e parlamentit në shenjë proteste.

Pavarësisht se së fundmi, ju nënshtrua një procedure në zemër, kryeministri Netanjahu ishte i pranishëm në seancë për të mbështetur reformën e ndërmarrë nga qeveria e tij.

Demonstruesit dolën në rrugë pas miratimit nga Knesset, parlamenti njëdhomësh izraelit, i pikës vendimtare të reformës së diskutueshme gjyqësore, të ashtuquajturës "klauzola e arsyeshmërisë".

Opozita, duke e cilësuar një “turp”, u largua nga salla e indinjuar, duke bojkotuar votimin.

Kryeministri Benjamin Netanjahu, së bashku me aleatët e tij nacionalistë dhe fetarë të krahut të djathtë, ka çuar përpara reformën pavarësisht protestave masive që kanë zgjatur për muaj të tërë.

Më shumë se 1000 protestues bllokuan autostradën, ndërsa policia u përpoq t'i detyrojë të dalin nga rruga.

Një numër i madh oficerësh policie u vendosën në autostradë për të shpërndarë protestuesit duke përfshirë edhe topa uji.

Mediat lokale flasin për 34 arrestime në të gjithë vendin, nga të cilat 15 vetëm në Tel Aviv.

Të paktën 4 oficerë dyshohet se u plagosën dhe tre demonstrues pësuan lëndime të lehta pasi një furgon u përplas në marshimin në një periferi të qytetit.

 “Ligji i miratuar nuk është aspak fundi i demokracisë, por realizimi i vullnetit të elektoratit dhe për rrjedhojë vetë thelbi i demokracisë". Kështu deklaroi Netanjahu, i cili ka hapur “një dialog me opozitën në ditët në vijim”.

“Kemi bërë një rregullim të moderuar për të rivendosur ekuilibrin mes pushteteve”, shtoi kryeministri, duke nënvizuar se e gjithë kjo “nuk justifikon” protestat dhe “përmbysjen e vendit”.

“Deri në fund të nëntorit, – vazhdoi ai, – është e mundur të arrihen marrëveshje” me opozitën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë