Futboll

Ivan Balliu i jep leksione La Lige Myrto Uzunit, e mund në shtëpinë e tij

Gazeta Si – Sfidën e kuqezinjve në Spanjë e ka fituar Ivan Balliu. Bindshëm madje, 0-2. Rajo Valekano triumfoi edhe në javën e dytë të La Ligës, duke mundur në transfertë Granadën e rikthyer në nivelin elitar të futbollit spanjoll.

Uzuni dhe Balliu, dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, ishin titullarë dhe luajtën 90 minuta të plota mbrëmjen e së hënës. Në fund ka festuar Ivan Balliu, një nga lojtarët kyç të Rajo Valekanos sezonet e fundit. Paraqitja e mbrojtësit të djathtë është vlerësuar me notën 7.3, nga më të mirët për skuadrën e tij.

Ivan Balliu gjate ndeshjes ndaj Granades. Gazeta Si, 22 gusht 2023

Myrto Uzuni në anën tjetër është vlerësuar me notën 6.6. Sulmuesi kuqezi nuk ka mundur të shënojë në dy javët e para të kampionatit dhe Granada ka pësuar 2 humbje, që e rendisin në vend të fundit. Është e qartë se La Liga ndryshon shumë nga Liga 2.

Rajo Valekano e Balliut ndërkohë kryeson renditjen me 6 pikë, bashkë me Realin e Madridit. E rëndësishme është që këta dy futbollistë po luajnë rregullisht dhe pritet të vijnë në formë për dy sfidat e shtatorit të Kombëtares. Deri atëherë Uzuni, të cilin ndoshta e çorientojnë pak edhe zërat e merkatos, duhet të jetë zhbllokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë