Ekonomi

Italianët kërkojnë Aeroportin e Vlorës për 35 vite. PD akuzon: Projekti, si Teatri Kombëtar

Aeroporti i Vlorës do të jepet me koncesion për 35 vite. Ky është lajmi që mbërrin nga përtej Adriatikut nga gazeta italiane “Corriere Della Sera”. Në seksionin e saj të ekonomisë në versionin online, kjo gazetë shkruan se kompania që menaxhon aeroportin e Puljas ka shprehur interes për marrjen e aeroportit të Vlorës.

Synimi, sipas medias italiane, është ndërtimi dhe vënia në punë e këtij aeroporti dhe më pas marrja me koncesion 35-vjeçar. Kompania në fjalë pretendon se në Vlorë mund të arrijë një numër nga 2 deri në 3 milionë pasagjerë në vit.

Corriere thotë se autoriteteve shqiptare u është dorëzuar një letër e shkurtër e shprehjes së interesit, ndërsa në mesjavë pritet të marrë një sinjal mbi mundësinë e marrjes së aeroportit të Vlorës me koncesion, gjatë punimeve të panairit “Fiera del Levante”, ku përfaqësues të Aeroportit të Puljas do të takohen me Kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Media italiane shton se Aeroporti i Puljas ka gati edhe fondin e investimit dhe kujton një kredi prej 65 milionë eurosh, që ka marrë nga banka të nivelit të dytë në Itali për një projekt për zgjerimin e biznesit dhe përfshirjen në grupin e kompanive elitë në bursën italiane.

Megjithatë, gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e projektit, Kryeministri Edi Rama i mëshoi më fort ndërtimit të kësaj vepre nga buxheti i shtetit, por nuk përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi me një kompani ndërkombëtare të njohur, pa e bërë me dije emrin e saj.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike akuzon se projekti është kokë e këmbë korruptiv.

Sekretari i Burimeve Njerëzore në PD, Ervin Minarolli. Gazeta Si, 17 shtator 2019

“Pasi i dështoi plani për ta bërë këtë me disa firma turke, të cilat u tërhoqën nga ndërtimi i aeroportit të Vlorës, Edi Rama nuk ka hequr dorë nga shkelja e ligjit dhe nga mungesa e transparencës, të cilat të çojnë në një konkluzion të vetëm, korrupsionin, vjedhjen e parave të shqiptarëve. Projektimi i Aeroportit të Vlorës bën pjesë në këto afera korruptive të Edi Ramës. Askush nuk e di sesi u përzgjodh firma projektuese. Për të nuk është hapur asnjë garë. Nuk ekziston në letrat e shtetit shqiptar asnjë procedurë e rregullt ligjpre. Askush nuk e di sa ka kushtuar projekti dhe si do të paguhet ai”, deklaroi Sekretari i Burimeve Njerëzore në PD, Ervin Minarolli.

Minarolli bëri publik emrin e projektuesit dhe sipas tij ai ka lidhje personale me Kryeministrin Edi Rama.

“Ai quhet Marco Casamonti, i cili ka projektuar disa nga veprat që kanë betonizuar Tiranën dhe Durrësin, Velierën e Durrësit, kullën tek Gjykata e Lartë, kullën tek Rruga e Kavajës, si dhe stadiumin me kullën e Edi Ramës. Arkitekti personal i Edi Ramës, që ka projektuar Aeroportin e Vlorës jashtë çdo procedure ligjore, është i dënuar në Itali në vitin 2017 për mashtrim financiar”, vijoi ai.

PD heq një paralele mes projektit të aeroportit të Vlorës dhe atij për Teatrin Kombëtar.

“Edi Rama duket po ndjek një skemë të ngjshme më atë të projektit të Teatrit Kombëtar, për të cilin bëri një ligj special, i kundërshtuar nga Komisioni Europian si një ligj në shkelje të konkurrencës së lirë. Edhe ligji për aeroportin e Vlorës në kohën e negociatave me turqit u kundërshtua nga Komisioni Europian, i cili lajmëroi se do të hapte një hetim për këtë çështje për shkak se qeveria nuk zbtatoi ligjin e prokurimit publik”, vijoi Minarolli.

Opozita paralajmëroi se të gjithë personat e përfshirë në këtë proces do të jenë objekt hetimi i ligjit antimafia dhe SPAK-ut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë