Futboll

Italia vuan, por shkon në Europian. Akuza nga Ukraina: U plotësua dëshira e Ceferin

Gazeta Si – Një ndeshje me shumë vuajtje dhe tension për djemtë e trajnerit Spaleti. Tani ata mund të mbrojnë titullin e fituar në 2021-shin, por rrezikojnë të jenë në një grup të hekurt.

Italia ka zënë përfundimisht vendin e dytë në Grupin C dhe është kualifikuar për në finalet e Euro 2024. Ka mjaftuar barazimi 0-0 në Leverkusen kundër Ukrainës për të qenë pas Anglisë dhe për të evituar ‘play-off’-in, ku do të shkojë Ukraina.

Ishte një mbrëmje me shumë vuajtje për Donarumën dhe shokët e tij, të cilët në fillim shpërdoruan dhe më pas u detyruan të rezistonin ndaj sulmeve të kundërshtarit. Fundi ishte plot tension, pasi pati pretendime për një penallti të mohuar ndaj Ukrainës, pas një faulli në zonë të Kristantes ndaj Mudrik. Arbitri nuk e konsideroi penallti, por as VAR-i nuk ndërhyri, duke lënë shumë dyshime.

Italia e ka mbyllur këtë fazë kualifikuese me 14 pikë dhe është thuajse e sigurt që do të jetë në vazon e katërt në shortin e 2 dhjetorit. Media ukrainase ndërkohë ka akuzuar se u plotësua dëshira e Ceferinit, presidentit të UEFA-s, për kualifikimin e Italisë në Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë