Vende dhe Udhetime

Italia vendos kufi ditor për turistët që vizitojnë plazhet

Ndërsa temperaturat rriten, po afrohet me shpejtësi ajo kohë e vitit kur turistë nga e gjithë bota zbresin në vijën bregdetare të Italisë.

Por popullariteti i madh i dy ishujve më të mëdhenj të Italisë, Sicilisë dhe Sardenjës, të njohur për plazhet e tyre, ka sjellë shumë probleme për mjedisin.

Këtë verë, autoritetet lokale po ndërmarrin hapa shtesë për të ruajtur mjedisin natyror duke zbatuar kufizime strikte të vizitorëve.

Ndërsa Baunei, një fshat i vogël në një zonë të largët të Sardenjës lindore, ka zbatuar kufijtë e përditshëm të vizitorëve në vitet e mëparshme, kufizimet janë duke u shtrënguar edhe më tej këtë verë.

“Ne nuk mund të përballojmë më mijëra turistë në një ditë në vend, është e paqëndrueshme”, thotë Stefano Monni, kryebashkiaku i Bauneit.

Katër plazhe janë prekur nga kufizimet. Cala dei Gabbiani dhe Cala Biriala tani kanë një kufi ditor prej 300 vizitorësh, ndërsa Cala Goloritze ka një kufi prej 250 vizitorësh në ditë dhe Cala Mariolu, më i madhi nga plazhet, ka një kufi ditor prej 700 personash.

Vizitorët në Cala Goloritze, ku mund të shkohet vetëm me këmbë ose me varkë, do të paguajnë një tarifë hyrje prej gjashtë eurosh.

Pushuesit duhet të rezervojnë në të gjitha këto vende përmes një aplikacioni të quajtur Cuore di Sardegna (Zemra e Sardenjës) të paktën 72 orë përpara vizitës së tyre. Tarifa e hyrjes për Cala Goloritze mund të paguhet ose në internet, ose me para në dorë në hyrje.

Kjo tarifë do të ndihmojë financimin e mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjen e shtigjeve në plazh, sipas autoriteteve lokale.

“Të gjitha këto plazhe, edhe ato me hyrje falas, janë të rregullt”, shton Monni.

“Ka mbikëqyrje, ndihmë për ata që kanë nevojë dhe ka shërbime pastrimi. Ne duhet ta mbrojmë këtë parajsë dhe ekosistemin e saj të brishtë”, shton Monni.

Kryebashkiaku thotë se ujërat e Bauneit u vlerësuan si deti më i bukur i Italisë në vitin 2022 nga Legambiente, një grup ekologjik italian. Ai thotë se është gjithashtu një vend me interes europian për shkak të specieve të mbrojtura të kafshëve dhe shpendëve.

“Duhet të vendosen kufij, përndryshe gjithçka shkatërrohet”, shton ai.

Monni thotë se Cala Mariuolo është vizituar nga deri në 2000 turistë në ditë në vitet e mëparshme, një situatë që ai e përshkruan si "kërdi".

Baunei nuk është i vetmi vend pushimi në Sardenjë që përpiqet të mbrojë vendin nga mbipopullimi i turistëve.

Stintino, një fshat peshkimi në bregun verior, po miraton masa të rrepta për të mbrojtur pasurinë e tij më mahnitëse, plazhin La Pelosa. La Pelosa është ndër plazhet më të bukura dhe të mbushura me njerëz në Itali.

Në sezonin e verës, rëra e tij është shpesh një labirint peshqirësh, ndërsa noti në ujërat e tij të bukur zakonisht është i pamundur mes kamerdareve të panumërta.

"Ne i kemi kufizuar turistët në La Pelosa në 1500 në ditë për një tarifë bilete prej 3.50 euro, rezervimet dhe pagesat mund të bëhen në një faqe interneti të autorizuar”, thotë kryebashkiakja e Stintino, Rita Limbania Vallebella, duke kujtuar një ditë me diell gushti, kur autoritetet e qytetit panë rreth 38,000 turistë që notojnë në ujërat e Stintino.

“Ishte tronditëse dhe e neveritshme”.

Në këtë plazh janë të ndaluar qentë, pirja e duhanit së bashku me përdorimin e peshqirëve të plazhit, me gjoba që fillojnë nga 100 euro.

“Në La Pelosa lejohen vetëm komerdaret. Ndryshe nga peshqirët që lagen, rëra nuk ngjitet në komerdare. Kemi humbur kaq shumë rërë për shkak të peshqirëve të plazhit”, shpjegon Vallebella.

Në Siçili, ishulli Lampedusa ka gjithashtu kufizime turistike në një vend të njohur.

Me ujërat e tij blu të pastër, plazhi Isola dei Conigli është emëruar vazhdimisht si një nga plazhet më të mira në botë nga udhëtarët, kështu që nuk është çudi që turma të mëdha dynden çdo vit aty.

Sipas këshilltarit lokal Totò Martello, mbi 1500 njerëz vizituan plazhin çdo ditë, një vend për vendosjen e vezëve për breshkat.

“Ky numër tani është përgjysmuar, vetëm 350 persona në mëngjes dhe 350 të tjerë pasdite”, thotë Martello. “Rezervimet bëhen në internet përmes një faqe interneti”.

Ata që bëjnë banja dielli aty duhet t'i përmbahen një "kodi plazhi" specifik, i cili i inkurajon vizitorët të qëndrojnë në vendin e tyre gjithë kohës, përveç nëse janë në ujë.

“Vera mund të jetë e vështirë. Janë rreth 6700 banorë, por gjatë pushimeve këtu zbarkojnë mbi 200 mijë turistë. Bëhet e padurueshme për mjedisin dhe e padurueshme për të gjithë”, thotë Filippo Mannino, kryebashkiak i Lampedusës.

Ndërkohë, ishulli Giglio, ose ishulli Isola del Giglio, në brigjet e Toskanës, ka vendosur një tarifë prej tre eurosh për hyrje, ndërsa makinat lejohen vetëm për qëndrime më shumë se katër ditë në gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë