Lajme

Italia, thirrje Kosovës: Hiqni taksën, Serbia prioriteti ynë

Italia i është bashkuar apelit të SHBA-ve dhe disa vendeve të BE për heqjen taksës së mallrave ndaj Serbisë nga ana e Kosovës.

Gjatë vizitës zyrtare në Beograd, kryeministri Giuseppe Conte tha se Italia e ka prioritet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Kosova duhet të tregojë përgjegjësinë e nevojshme dhe përpjekjet për të rivendosur bisedimet dhe për të tërhequr taksën që vendosën nëntorin e kaluar, - u shpreh Conte. -Italia do të jetë ambasadore e Serbisë në procesin e integrimit europian. Mbështesim përpjekjet e presidentit Vuçiç për të gjetur kompromisin me Kosovën. Prishtina të tregojë impenjim për të revokuar taksat për produktet serbe.

Conte theksoi se Beogradi dhe Prishtina duhet të negociojnë për të përmirësuar marrëdheniet dhe të stabilizojnë gjithë rajonin.

“Vlerësoj vendimin e qeverisë serbe, e cila nuk ka reaguar me kundërtarifa. Taksa për mallrat serbe nuk i shërben dialogut”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti serb Vuçiç, u shpreh se Kosova është për fuqitë e mëdha një fëmijë i përkëdhelur: “Nuk e kuptoj qëndrimin e liderëve në Kosovë. Ata nuk mund të hyjnë në Bashkimin Europian pa marrëveshje me Serbinë. Ende nuk e kemi arritur kompromisin. Kur vende si p.sh Madagaskari hoqi njohjen e Kosovës, ata na fajësojnë ne. Le të biem dakord dhe të mos përkeqesojmë atmosferën, të arrijmë në një kompromis”.

Si Brukseli dhe Uashingtoni kanë kritikuar Kosovën për vendosjen e tarifave duke kërkuar heqjen e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë