Futboll

Italia rrit shanset për 5 skuadra në Champions, shkëputet 800 pikë të tjera nga Anglia

Gazeta Si – Skuadrat e Serisë A vazhdojnë të fitojnë terren dhe me këtë ritëm mund të jenë 5 klubet që do të marrin pjesë në edicionin e parë me një grup të vetëm në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë.

Ecuria e skuadrave italiane në Europë është mjaft e mirë për momentin. Milani dhe Roma, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të shkojnë në 1/8-at e Ligës së Europës. Në Champions Interi mundi Atletiko Madridin në ndeshjen e parë dhe Napoli barazoi me Barcelonën.

Praktikisht, asnjë skuadër nuk është e eliminuar dhe kështu Italia bëhet kandidate gjithmonë e më e fortë për të pasur edhe një skuadër të 5-të edicionin e ardhshëm të Championsit. Nga 2024-a do të ketë një zgjerim nga 32 në 36 skuadra, që sfidohen në një lloj grupi të vetëm, ku çdo klub luan të paktën 8 ndeshje ndaj kundërshtarëve të ndryshëm, që përcaktohen nga shorti.

Sapo përfundon kjo fazë, që zhvillohet nga shtatori 2024 në janar 2025, 8 skuadrat e para në klasifikim shkojnë direkt në 1/8-at, kurse skuadrat nga vendi i 9-të tek i 24-i, do të luajnë në 1/16-at.

Nga 4 vendet që shtohen sezonin e ardhshëm, 2 prej tyre akordohen në bazë të dy pozicioneve të para në renditjen e federatave sezonin e fundit, pra 2023-24. Falë rezultateve të ditëve të fundit, Italia jo vetëm konfirmohet në krye me 15.571 pikë, por regjistron edhe një shkëputje domethënëse ndaj ndjekëseve të saj në raport me një javë më parë.

Gjermania, e shkëputur edhe 200 pikë të tjera, është e dyta me 14.500 pikë, Anglia mban vendin e tretë me 13.875 pikë dhe ka rrëshqitur me 800 pikë të tjera nga Italia. Kompletojnë klasifikimin Franca (13.250), Spanja (13.187), Çekia (12.750), Belgjika (12.400), Turqia (11.000), Portugalia (9.833) dhe Holanda (9.800).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë