Futboll

Italia programon dy teste ‘amerikane’ para sfidës me Shqipërinë në Europian

Gazeta Si – Berlini është shumë larg dhe kampionët në fuqi të Europës nuk mendojnë për aktin final. Pozicionimi në vazon e 4-t në shprt i ka bërë italianët ata më të përulur, duke vlerësuar maksimalisht si Francën dhe Kroacinë, ashtu edhe Shqipërinë, kundërshtarët në Grupin B të Euro 2024.

Puna gjithsesi ka nisur për trajnerin Spaleti dhe stafin e tij. Ndeshjet e Europianit luhen në Ruhr, rajonin që priti Italinë e Lipit në 2006-ën, kur u shpall kampione bote. Në këtë zonë do të bëhet edhe grumbullimi para ndeshjes me kuqezinjtë.

Për të përgatitur sa më mirë Europianin dhe një start me fitore ndaj Shqipërisë së Silvinjos, trajneri Spaleti ka kërkuar dy miqësore me kundërshtarë të nivelit të lartë, në SHBA nëse do të jetë e mundur. Italia kërkohet nga agjenci të ndryshme që organizojnë miqësore. Për këtë ofrojnë 4 milionë euro për një ndeshje, që ndahen me kundërshtarin, plus të drejtat televizive.

Austria dhe Serbia janë kundërshtarët më të mundshëm të Italisë, pastaj vijnë Hungaria, Skocia, Çekia, një ekip amerikano-latin, që mund të jetë Kolumbia ose Uruguai, si dhe një ekip amerikano-verior për arsye logjistike (SHBA-të ose Meksika).

Në maj pastaj dy miqësore të tjera, por në Itali. Njëra prej tyre mund të jetë me një kundërshtar ‘të vogël’. Grumbullimi zyrtar është programuar për më 3 qershor në Koverçano dhe më 7 qershor nisja për në Gjermani me 23 lojtarë në listë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë