Futboll

Italia në zi për Simonin, rekordmenin e ekipeve që u ngjitën në Serinë A

Bota e futbollit në zi: ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare trajneri i njohur italian, Luixhi (Xhixhi) Simoni. Ish-trajneri i Interit dhe disa skuadrave të tjera ishte goditur nga një atak më 22 qershor të vitit të kaluar, në shtëpinë e tij në Piza. Që atëherë ka luftuar fort për muaj të tërë, por nuk ia ka dalë ta fitojë betejën me vdekjen.

Në mars kishte lënë klinikën ku qëndronte për arsye sigurie dhe ishte transportuar në shtëpi, duke parë edhe situatën e pandemisë nga koronavirusi. Orët e fundit pati një përkeqësim të menjëhershëm dhe u shtrua në spitalin e Pizës, por më shpresa minimale jete. Pranë tij, deri në momentin e fundit, ka qenë bashkëshortja Monika, si gjithmonë.

Simoni dhe Ronaldo tek Interi. Gazeta Si, 22 maj 2020

Simoni ka drejtuar për gati 30 vjet. Në karrierën e tij ka qenë trajner i 17 skuadrave. Vitet e fundit e ka shoqëruar trishtimi që nuk ia doli t’i merrte titullin kampion Juventusit në sezonin 1997-98, i mbushur plot me polemika për atë penallti të padhënë ndaj Ronaldos, pas ndërhyrjes së Iulianos. Në vitin 1998 ai fitoi me Interin Kupën UEFA dhe u vlerësua me çmimin “Stoli i Artë”.

Ngjitja e Kremonezes në Serinë A është një nga kryeveprat e tij. Simoni është rekordmeni i ngjitjes së skuadrave nga Seria B në Serinë A: plot 7 skuadra. Si futbollist ka fituar një Kupë të Italisë me Napolin në vitin 1962.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë