Ne rrjet

Italia në luftë për të shpëtuar jetë, 756 të vdekur në 24 orë

Të dielën janë regjistruar 756 viktima në 24 orë në Itali nga koronavirusi. Një shifër e ulët në krahasim me dy ditët e fundit, porse vërehet një rritje e personave të infektuar.

Pacientët e infektuar me koronavirus, sipas të dhënave zyrtare janë 97.689, duke regjistruar 4217 raste më shumë gjatë 24 orëve të fundit. Numri i pacientëve të shëruar është 13.030 e janë 646 më shumë pacientë të shëruar se një ditë më parë, ndërsa 3906 pacientë po kurohen në terapi intensive.

E gjithë Italia është në luftë për të shpëtuar jetën e personave që po luftojnë ndaj koronavirusit. Në rajonin e Lombardisë numri i personave të infektuar është 41 007 e 6360 janë viktimat. Janë shtuar 1592 pacientë të infektuar më shumë se një ditë më parë e numri i viktimave në 24 orët e fundit është 416.

Në rajonin e Lazios, në Romë numri i të infektuarve është 2706 dhe i viktimave 136. Në rajonin e Molises është regjistruar numri më i ulët i pacientëve të infektuar me 127 të infektuar e 9 viktima. Në Itali deri më sot janë kryer 45 030 tampone. Shqetësim ka se ka rritje të numrit të të prekurve në provincën e Milanos, ndërsa deklarohet se në Lombardi janë afër pikut të shifrave, pasi numri i të prekur ka mbetur i njëjtë.

Ministri i Shëndetësisë, Speranza deklaroi se Italia ëshë në një epidemi të plotë dhe do të ishte një gabim nëse ulet  vigjilenca. Ndërsa deklarohet se  janë 4 mijë infermierë të prekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë