Njerez

Itali, rrëfimi i shqiptarit: 24 orët e vetëizolimit, çfarë më ndalohet

Ai është drejtues i një prej bizneseve të vogla, që merret me ndërtim në një nga komunat e rajonit të Massa Carraras në Itali, prej më shumë se pesë vitesh. Të premten e javës së kaluar, si shumë syresh, ai iu bind masave drastike të qeverisë për minimizimin e përhapjes pa masë të virusit COVID -19. 

E kyci biznesin për një kohë të pacaktuar. Dhe bashkë me disa miq u ul për të rrakëllyer nga një gotë në një nga baret e zonës (kur ende nuk ishin mbyllur përfundimisht).

48 orë më pas, të dielën në mëngjes, i bie telefoni. Një prej miqve të aperitivit të së premtes ishte shtruar në spital sepse rezultoi pozitiv me koronavirus. Menjëherë njofton mjekun e familjes (duke qënë se janë komunë e vogël). Pyetet imtësisht nëse ka simptoma të virusit COVID 19. Deri më tani jo.

Megjithatë prej ditës së hënë, ai duhet të qëndrojë i vetëizoluar për 14 ditë në shtëpi. Masat ndaj tij janë të njëjta sikur të ishte me simptomat e lehta të virusit. Rrëfimin e sjell për gazetën ‘Si’ një shqiptar me inicialet P. L.

Ai zgjohet i vetëm në mëngjes. I izoluar në një dhomë që duhet të ajroset disa herë përmes dritares, por jo derës së dhomës. Ajo duhet të qëndrojë e mbyllur. Dhoma e tij duhet të ketë higjenë të lartë. Ka luksin të përdorë një banjo më vete, që duhet të pastrohet me desifektues normal ose me produkte, që kanë bazë klorin apo alkool 70%.

Duhet të qëndrojë me maskë kirurgjikale. Ndihmohet nga bashkëshortja e tij, e cila po ashtu duhet të jetë e pajisur me një maskë, dhe e distancuar nga ai të paktën një metër. I ndalohet rreptësisht hyrja çdo familjari tjetër në dhomë. Atij i vihet në dispozicion çdo gjë veçmas. Nuk duhet të ndajë asnjë send me të tjerët nga celulari, tableta, kompjuteri e deri tek cigarja apo gota, filxhani, pjata, piruni, luga, shishja...etj. I ndalohet të prekë madje edhe telekomandën. Në të kundërt, duhet pastruar direkt me alkool mbi 60%. Rrobat e tij nuk duhet të përzihen me familjarët e tjerë. Ai ka peshqirin e tij që duhet të lahet (ashtu si edhe ndërresat) në lavatriçe veças rrobave të tjera në temperaturë 60 gradë. Në vend të peshqirit, rekomandohet të përdorë më mirë facoleta dhe letër guzhine një përdorimshe duke i hedhur menjëherë në një kosh të vendosur vetëm për atë, në dhomën ku qëndron. Pas gjithçkaje që prek, ai duhet të lajë duart të paktën 20 sekonda. Ose të përdorë desifektues me përqindje alkooli mbi 70%. Nuk duhet të fusë duart në gojë, hundë dhe sy. Për ushqimin mjekët nuk e kanë këshilluar. Por për gjendjen e tij fizike shumë. Ai duhet të masë temperaturën të paktën 5 herë në ditë. Kështu i kanë thënë. Nëse ndjen dhimbje gjoksi, i fillon kolla, dhimbje të pazakonta të muskujve, probleme me frymëmarrjen apo rritje temperature të menjëhershme mbi 37 gradë Celsius duhet të informojë menjëherë mjekun. Një marrëdhënie kjo reciproke. Atij i bie telefoni nga mjeku i familjes dy, deri në tre herë në ditë. Ndërsa mjeku i infektivit e merr në telefon një herë në ditë. Përpos telefonatës, mjeku i familjes e viziton edhe në shtëpi. Sigurisht, jo çdo ditë. Duke mos pasur simptoma, mjeku e viziton i pajisur vetëm me maskë kirurgjikale dhe doreza. Në rast së gjendja e tij do të rëndohet, atëherë në shtëpi mbërrijnë mjekët e infektivit të veshur me rroba të posaçme që i marrin tamponin. Ky i fundit nuk duhet të lëvizë nga dhoma ku qëndron. Nëse ai rezulton pozitiv, janë mjekët të shoqëruar nga infermierët që bëjnë transportin e pacientit.  

Mjekët janë urdhëruar të flenë në spital. Për ta nuk ka pushim. Ndërsa për qytetarët duhet vetëm ndërgjegjësim dhe përgjegjshmëri. Si rasti i shqiptarit P.L që nuk e mendon të thyejë rregullat e izolimit edhe pse deri më tani nuk ka asnjë simptomë të virusit.

 “Ai mund të shfaqet edhe ditën e 14-të”, - shprehet ai. “Nëse ruaj veten, ruaj familjen dhe të tjerët. Për mua asgjë tjetër nuk ka rëndësi në këto momente”, -  e mbyll bisedën. Është ora 20.00 e mbrëmjes dhe ai duhet të masë temperaturën… 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë