Kombetarja

Ismajli-Abrashi top, Xhaka, Grezda dhe Sadiku flop

Fitorja e thellë në Andorrë nuk mund ta mbulojë paraqitjen e dobët të Kombëtares në dy ndeshjet e para kualifikuese të Euro 2020. Me apo pa Panuçin në stol, skuadra jonë luajti shumë dobët, ishte shumë e kuptueshme në çdo moment. Duke përjashtuar 20 minutat e para të ndeshjes me Turqinë në Shkodër, gjithçka tjetër la për të dëshiruar. Edhe 3 golat e shënuar ndaj Andorrës nuk dhuruan asnjë emocion, sepse më shumë na i fali kundërshtari se i krijuam vetë. Asnjë aksion i rrjedhshëm për t’u mbajtur mend, asnjë kombinim, asnjë vertikalizim, asnjë gjuajtje e rrezikshme drejt portës kundërshtare.

Ndeshja me Andorrën ishte e mërzitshme deri në maksimum, siç tha ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, por edhe një skuadër pa bosht dhe e hallakatur, siç u shpreh ish-trajneri i kuqezinjve, Astrit Hafizi. Lojtarët e Kombëtares dukej sikur ishin bashkuar një ditë para ndeshjes së parë dhe më pas u hodhën në fushë, pa bërë asnjë përgatitje për të lidhur lojën. Në një ekip kombëtar, zakonisht ndodh e kundërta e asaj që po ndodh te Shqipëria, veprimet mes lojtarëve janë të automatizuara. Lojtarët hera-herës merren vesh me “sy mbyllur” me njëri-tjetrin, ndërsa te Shqipëria nuk po merren vesh as me sy hapur. Faji i ish-trajnerit Panuçi? Shumë e lehtë ta thuash, por edhe shumë e lehtë të kuptosh se nuk ishte vetëm ai problemi.

Nga ndeshja Andorrë-Shqipëri, 0-3. Uzuni në aksion

Shqipëria nuk është më një skuadër, nuk ka frymën e grupit, nuk ka sinkronizim veprimesh në lojën e saj, nuk ka lider dhe mbi të gjitha nuk ka sakrificë për fanellën kuqezi. Lorik Cana, Mërgim Mavraj (mungoi në këto dy ndeshje për shkak pezullimi), Ansi Agolli e ndonjë tjetër, kanë lënë gropa të thella në formacionin kuqezi dhe kanë prishur ekuilibrin në shumë plane. Të vetmet gjëra pozitive që sollën dy ndeshjet e para janë paraqitja e Ardian Ismajlit dhe rikthimi i Amir Abrashit, ndërsa disa titullarë zhgënjyen totalisht me atë çfarë dhanë në fushë.

TOP ISMAJLI-ABRASHI – Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit, Ardian Ismajli, ishte pa dyshim lojtari i fituar në Kombëtare. Titullar në të dyja ndeshjet, ku nuk bëri thuajse asnjë gabim. I pozicionuar mirë në çdo moment, fitimtar në dyluftime dhe gjithmonë i sigurt në veprimet e tij. I thjeshtë, serioz dhe i saktë. Dukej sikur kishte shumë vite që ishte pjesë e kuqezinjve. Me siguri që niveli i tij do të rritet dhe Ismajli do t’i shërbejë më shumë edhe Kombëtares në të ardhmen. Kishim nevojë për një lojtar të tillë në qendër të mbrojtjes. Më mirë se mbrojtësit e tjerë, Gjimshiti dhe Veseli, edhe pse ata luajnë në Serinë A. Mjafton të kujtojmë gabimin e Gjimshitit në ndeshjen me Turqinë, që ishte fatal.

Ardian Ismajli në një ndërhyrje gjatë ndeshjes me Turqinë

Amir Abrashi i kushte munguar për një kohë të gjatë Kombëtares dhe rikthimi i tij nga dëmtimi është shumë i rëndësishëm. Mesfushori i palodhur duket se është i vetmi titullar që është në gjendje të bëjë liderin taktik të skuadrës. Ishte ai që shpesh komunikonte me lojtarët e tjerë, sidomos me më të rinjtë, duke u dhënë atyre orientime. Kombëtarja ka nevojë për një lojtar si Abrashi në çdo ndeshje, jo vetëm për energjitë e tij fizike, por edhe për grintën që transmeton në grup. Për t’u vlerësuar është edhe paraqitja e Myrto Uzunit, në një formë shumë të mirë fizike, por duhet të disiplinohet taktikisht që t’i shërbejë më shumë ekipit. I rëndësishëm për të ardhmen.

Amir Abrashi

FLOP XHAKA-GREZDA-SADIKU – Të gjithëve u ra në sy loja e dobët e disa prej titullarëve, nga të cilët pritej shumë në këto dy ndeshje. Taulant Xhaka ishte ai që zhgënjeu më shumë. Luajti titullar në të dyja ndeshjet, por nuk u pa në fushë. Shumë gabime në pasime, edhe në më të thjeshtat gjatë ndeshjes me Andorrën. Pa grintën e zakonshme dhe nervoz gjithë kohën. Mund ta zgjidhte më mirë situatën në rastin e golit të parë të Turqisë, falë përvojës që ka, edhe pse Gjimshiti ia ngeci topin. Me Andorrën gaboi fatalist afër portës kundërshtare, duke humbur një gol të sigurt. Nuk është më ai i pari në çdo aspekt. Eros Grezda ishte një tjetër zhgënjim i madh. Fakti që vjen nga dëmtimi nuk e justifikon. Shpejtësia e tij nuk u pa kurrë as me Andorrën. Asnjë driblim, depërtim apo gjuajtje për t’u mbajtur mend. Shumë larg nivelit të mëparshëm.

Eros Grezda gjatë ndeshjes me Andorrën

Ai gol i dhuruar nga portieri i Andorrës, edhe pse ka merita për nuhatjen e atij gabimi, nuk e mbulon formën e dobët të sulmuesit kryesor të Kombëtares, Armando Sadiku. Për aq sa luajti me Turqinë dhe Andorrën, bëri shumë pak. Rikthimi i tij u prit me shumë entuziazëm nga të gjithë, megjithatë sulmuesi u pa qartë se nuk kishte gjendje dhe mbeti i parrezikshëm për portën kundërshtare gjithë kohën. Nuk ofroi zgjidhje për krizën e golit. Një tjetër lojtar flop mund të konsiderohet edhe kapiteni Elseid Hysaj. Nëse dikush që e sheh ndeshjen në stadium apo televizor nuk e di që ai është lojtar i Napolit, nuk do ta kuptonte kurrë nga loja e tij në fushë. Si një lojtar i një ekipi që mban vendin e dytë në Serinë A dhe që luan në kompeticionet europiane, nuk bën asgjë më shumë se të tjerët, aq më tepër si kapiten skuadre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë