Lajme

Ishte shpallur në kërkim për vrasje, kapet 29-vjeçari nga Vlora

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person me rrezikshmëri shoqërore, i cili ishte shpallur në kërkim për “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Siç njofton policia, pas informacioneve të marra se një person në kërkim nga Vlora fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi” u zhvillua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Befasia”.
Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi T. M., 29 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Vlorë.
Policia thotë se 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë më datë 18.09.2018 ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në atë me “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Ndërkohë, është njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë për ndjekjen e mëtejshme të procedurave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë