Drejtësia

Ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes dëshmon për ‘Gërdecin’: Bërzhita, e papërshtatshme për demontim!

Gazeta Si - Pas ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gjeneral Bardhyl Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Logjistike pranë Ministrisë së Mbrojtjes dëshmoi në gjykatë për procesin e dosjes “Gërdeci”.

Dëshmin e tij e ka dhënë edhe Sadik Sula, një ish-ushtarak, i cili ka punuar në këtë depo.

Në fillim, nga prokurorët e çështjes u njoh nga një memo të përpiluar prej Bardhyl Hoxhës në dhjetor 2006, ku i ishte kthyer një përgjigje nga drejtoria e logjistikës një fax-i të ardhur nga kompania amerikane, SAC.

Ajo propozonte që demontimi i municioneve të bëhej në fshatin Bërzhitë. Por përgjigjja ishte negative sipas drejtorisë logjistike.

Shkak sipas Hoxhës ishte që Bërzhita nuk ndodhej në një vend të përshtatshëm.

Vendi ndodhej pranë banesave dhe rrugës kryesore, si dhe depot nuk ishin të licensuara për të kryer këtë proces.

Në dëshminë e tij Hoxha deklaroi se licensimi nuk ishte ndonjë akt u veçantë, por merrej parasysh gjendja e depos, rrethimi me tela me gjemba dhe izolimi. Në këto kushte, Bërzhita i plotësonte këto kushte.

“Të pranishëm kanë qenë Sokrat Papadhima, specialist, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe një jurist. Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin, sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar”, - tha ai.

Nga ana tjetër, Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo, ka deklaruar se ka nisur punë në Gërdec, pasi ishte i papunë.

Ai ka pohuar se ka parë më sytë e tij që zjarri ka nisur në një karrocë, që sipas tij ka pasur 2 ose 2 thasë me barut.

Ai lë të nënkuptohet se shpërthimi në Gërdec ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë