Drejtësia

Dëshmia në gjykatë e Mediut për ‘Gërdecin’: Shteti është përgjegjësi për viktimat. S’kam forcë ta zhbëj atë që ndodhi!

Gazeta Si - Në herën e tij të parë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO për dosjen “Gërdeci”, Fatmir Mediu ka shpjeguar pozicionin e tij si ish-ministër i Mbrojtjes për tragjedinë e ndodhur në 15 mars 2008.

Në një deklaratë që ka lexuar para gjyqtares Irena Gjoka, Mediu i ka kërkuar ndjesë familjarëve të prekur nga një nga ngjarjes më të rënda të ndodhur në Shqipëri pas viteve ’90.

Fatmir Mediu u shpreh se donte shumë ta zhbënte atë që ndodhi, por s’ka forcë për ta bërë këtë, duke shtuar se ngjarja tragjike e Gërdecit i ka ndryshuar jetën.

“Që prej asaj dite, në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore”, - u shpreh ish-ministri para togave të zeza.

Mediu deklaroi se si ministër i Mbrojtjes dha dorëheqjen, duke marrë përgjegjësi morale për atë që ndodhi.

Megjithatë u shpreh se ndihet i keqardhur që aktin e tij, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si shenjë dobësie dhe si reflektim të një individi me faj.

“Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjës që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit”, tha Mediu.

Ai është i bindur se “shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi”.

Mediu tha se rihapja e çështjes dhe vazhdimi i këtij gjykimi, është në kundërshtim me ligjin, teksa tha se ‘dua të besoj se kjo çështje nuk është nxitur politikisht’. ‘Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?’- ishte një ndër disa pyetjet që ngriti Mediu ndaj gjyqtares.

Në fjalën e tij para gjyqtares në seancën e sotme, ai e cilësoi të pajustifikueshëm refuzimin e kërkesës së tij për të thirrur si dëshmitarë disa funksionarë.

Mediu kërkoi që gjykata të dëgjonte dëshmitë e ish Këshilltarit për Sigurinë të Presidentit Amerikan dhe ish-Komandantit Suprem të NATO-s, Zv/Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ministrit gjerman apo italian.

Sipas ish-ministrit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, punonjësit e thjeshtë të fabrikës, nuk duhet të thirreshin si dëshmitarë.

Ndërsa, faktet, të cilat prokuroria i cilëson si shpërdorim të detyrës nga ana e ish-ministrit, nuk kanë të bëjnë aspak me detyrën e tij, u shpreh më tej Mediu.

Gjatë shpjegimeve tij në GJKKO, ai ngriti disa pyetje: "Sipas akuzës, është bërë demontimi i municioneve të ashtuquajtura ‘kalibër i madh’. Çfarë lidhje ka detyra e ministrit me përcaktimin e kalibrave të municioneve?!!!!!! Sipas akuzës, si shkak i shpërthimit, është përcaktuar një pakujdesi e një punonjësi që ka salduar një karrocë. Nëse është kështu, atëherë çfarë lidhje ka urdhri i ministrit me shkakun e shpërthimit?! Nëse nuk do të kishte ndodhur saldimi i karrocës, të cilin prokuroria e përcakton si shkak të ndezjes së barutit, a do të ishte marrë ministri, apo edhe persona të tjerë në përgjegjësi penale?”.

Duke përmendur akuzën për përcaktimin e vendit të demontimit, Mediu tha se kjo nuk ishte kompetenca e tij, ndërkohë që Forcat e Armatosura kishin në kontroll Gërdecin.

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, është marrë zyrtarisht i pandehur për 2 vepra penale, “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak” përsa i përket tragjedisë ku shpërtheu fabrika e demontimit të armëve në Gërdec.

Pjesë nga deklarata e Fatmir Mediut në GJKKO:

“Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut. 

Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë cështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces.  Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë.

Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin. Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet,  për rastin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale? 

Cili nen i Kodit Penal parashikon pezullimin e parashkrimit të ndjekjes penale? Kodi Penal nuk parashikon gjithashtu as pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Gjykata e Lartë me vendim unifikues nr.1, datë 28.10.2022, ka konfirmuar përcaktimin e Kodit Penal, sipas të cilit nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzukutimit të vendimit penal. 

Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?!!!

Çfarë e ka penguar prokurorinë të rihapi çështjen ndaj meje, të rihetoj, të ngrejë akuzë, nga vitit 2009 deri në vitin 2022?  Unë këtu kam qënë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm?!!! Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë. Jo vetëm kaq por kam këmbëngulur që Gjykata e Lartë në gjykimin e vitit 2009 të vazhdojë gjykimin?!!!! I kam kërkuar Prokurorisë së Përgjithëshme  të tërheqë aktet dhe të kërkojë në Kuvend riheqjen e imunitetit.  

Prokuroria e Përgjithshme nuk e bëri këtë dhe rrjedhimisht Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit me gjithë kërkesën time për ta vazhduar atë.  Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit, që e shtynë  prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces?  Asnjë prove, asnjë e dhënë e re. 

Për më tepër edhe në këto dy vite gjoja hetim, prokuroria/SPAK nuk shtoi absolutisht asgjë më shumë nga sa përmban hetimi i vitit 2008-2009. Në vendimin për të rihapur procesin dhe për të dërguar çështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 1106, datë 21.12.2021.  

Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi, se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq, do të vlerësohen afatet e parashikuara në nenin 66 të Kodit Penal (PARASHKRIMI).

As prokurori nuk e bëri këtë, por as edhe ju si gjykatë nuk po e bëni? Mund të më thoni i nderuar prokuror, se nga ku buron kurajoja juaj për të injoruar në mënyrë flagrante Kodin Penal për parashkrimin, për të injoruar vendimet e Gjykatës së Lartë, por edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për këtë institut penal?!!!  

Denoncimi i paligjshmërisë së hapjes së procesit nuk ka si qëllim për tju shmangur gjykimit.  Por rihapja e kësaj çështje në kundërshtim flagrant me ligjin është tregues i mungesës së garancive për një proces të drejtë ligjor nga ana juaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë