Futboll

Ish-sulmuesi i Brazilit, 600 km me biçikletë për të firmosur kontratën e re

Në një vend që ka pasur lojtarë si Pelè, Romario dhe Ronaldo, nuk është e lehtë të jesh… Fred. Ish-sulmuesi i Lionit kujtohet në Brazil kryesisht për paraqitjen e dobët që bëri në Botërorin e 2014-ës, ku më shumë për mungesë alternativash se për meritë, e pa veten qendërsulmuesin e kombëtares që pësoi 7 gola në gjysmëfinale nga Gjermania. Në eksperiencat që ka pasur në vendin e tij, Fred ka lënë gjurmë. Ai është pjesë e historisë së Fluminenses, me të cilën ka shënuar 161 gola në 265 ndeshje.

Dhe tani, në moshën 36-vjeçare, ai ka lënë Kruzeiron për t’u kthyer në Rio, por me biçikletë, siç ka bërë të ditur vetë në profilin e tij në rrjetet sociale. Sulmuesi ka në plan t’i bëjë me biçikletë 600 kilometrat që ndajnë Belo Horizonten me Rio de Zhaneiron. Pedalimi i lojtarit do të ndalet në qendrën sportive “Carlos José Castilho”, shtëpia e Fluminenses, ku do të firmosë kontratën e re. Gjithçka duke kaluar në Estrada Real, një nga rrugët e preferuara të çiklistëve brazilianë, edhe pse në rrugë dytësore për të shmangur trafikun dhe koronavirusin që në Brazil po krijon shumë probleme.

Fred feston një gol me fanellën e Brazilit. Gazeta Si, 1 qershor 2020

Janë gati dy biçikleta për Fred, secila për terrene të ndryshme. Sulmuesi është stërvitur shumë për këtë, siç tregojnë postimet e tij në rrjetet sociale. Pse me biçikletë? Zgjedhja e çuditshme e Fred ka motive shumë fisnike. Iniciativa e tij ka të bëjë me një fushatë publicitare për të mbledhur fonde dhe për t’i kaluar të ardhurat për 4000 familje në nevojë, që kanë shumë vështirësi në këtë situatë. Lodhje e madhe, por për arsye të rëndësishme. Dhe duke parë që qeveria braziliane ka në plan të rifillojë aktivitetet futbollistike, kjo është një mënyrë e mirë për të qenë në formë para ndeshjes së parë me fanellën e re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë