Politike

Ish-ndihmësi i Bush: Shqiptarët të imunizuar nga ndikimi rus

Damon M.Wilson, zv.President ekzekutiv i Këshillit Atlantik përjashton Shqipërinë nga lista e vendeve ballkanike të influencuara, ose të rrezikuara prej kësaj influence. Në një intervistë për median greke, Kathimerini, ai rendit Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe vetë Greqinë si katër vendet ku dora ruse është më e fortë.

“Rusia po ushqen Serbinë me iluzionin e rremë të një partneriteti strategjik madhështor. Po ashtu kemi parë përpjekjet për të përccarë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Janë përpjekje konkrete, që fatmirësisht dështuan”, thotë ai.

Wilson, i cili ka mbajtur më parë edhe pozicionin e ndihmësit special i Presidentit George W. Bush dhe drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Punëve Europiane në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së SHBA nga 2007 deri në 2009 thotë se shqiptarët deri më tani janë më të imunizuar nga ndikimi rus.

Damon M. Wilson

Ai e lidh këtë me orientimin e fortë të shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi drejt Perëndimit. Deri më tani, mendon Wilson, ky orientim e besim nuk është lëkundur, pavarësisht ecejekave dhe sfidave që kanë pasur. Për shkak të këtij orientimi, shton ai, udhëheqësit politikë janë të kujdesshëm në afrimin me Moskën, pasi kjo do të reflektohej në humbjen e mbështetjes në elektorat.

Përvoja në administratën e George W. Bush e ka ndihmuar që jo vetëm të njohë mirë ccështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë një panoramë më të gjerë të qëllimeve ruse në rajon, të cilat sipas tij, më shumë se të ndërtojnë, synojnë që të shkatërrojnë.

“Strategjia ruse në Ballkan nuk është ndërtimi i dicckaje të bukur dhe madhështore duke marrë vendimet të vështira, por është më shumë një qasje me më pak kosto financiare. Rusia synon që të destabilizojë Ballkanin dhe të ndalë proceset e reformat e nisura që përafrojnë këto vende më shumë me Bashkimin Europian dhe standardet demokratike të Perëndimit”, thotë ai.

Termi “influencë ruse” është duke u përdorur gjithnjë e më shpesh në politikën shqiptare, që prej përshkallëzimit të protestave të opozitës me djegie mandatesh dhe protesta të dhunshme para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Protestat u pasqyruan në mediat italiane gjerësisht dhe një pjesë prej tyre i cilësuan si “revoltë popullore”, e ku nuk mungonin titujt e bujshëm si “Shqipëria në kaos!”. Kryeministri Edi Rama ndërmori një tur mediatik përtej Adriatikut me misionin, sicc tha, për të hequr “baltën” e hedhur nga opozita për Shqipërinë.

Gjatë këtij turi, mes morisë së deklaratave që bëri, Kryeministri Edi Rama nuk përjashtonte mundësinë që aksioni i opozitës shqiptare të kishte gjetur aleatë në Moskë. Në intervistën e dhënë për emisionin “Porta a Porta”, Rama tha se nuk kishte prova.

“Nuk dua të hamendësoj mbi gjëra që nuk kemi prova, por është e qartë që jo të gjithë e duan Shqipërinë në Europë dhe nuk është sekret që Rusia nuk është një tifoze e madhe e Europës. Në të tilla situata ata mund të japin një dorë dhe kjo nuk do të ishte një surprizë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë