Njerez

Ish-ministri Shehu denoncon rastin e aktorit Fuga: Kriminale që disa ndërhyrje nuk realizohen në QSUT, shteti të kompensojë paratë

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me rastin urgjent të aktorit dhe regjisorit Genc Fuga, i cili po kurohet pas një goditje në tru. Bashkëshortja, të afërm e miq të Fugës patën bërë apel për përballimin financiarisht të ndërhyrjes kirurgjikale dhe trajtimit në një spital privat në Tiranë; apel që gjeti solidarizimin e menjëhershëm të të gjithëve. Ish-ministri Shehu ka denoncuar se ka disa operacione për jetë a vdekje, si rasti i Fugës, që nuk realizohen në spitalin shtetëror QSUT dhe këtë gjë ai e cilëson kriminale.

Postimi i plotë i Tritan Shehut:
Kriminale t’i thuash pacientit “O paguaj o vdis”!
Një “Deja vu” çfarë ndodh me artistin Fuga, një ngjarje e përsëritur, për qindra shqiptarë tashmë.
Një shkelje e rëndë e Kushtetutës, të drejtave universale.
Është vetëm një simptomë e degradimit të “Shëndetësisë falas” të Rilindjes.
Në të vërtetë e kam ngritur pa ndërprerje këtë ballafaqim me vdekjen të pacientëve, por pa asnjë përgjigje nga ky shtet.
Janë jo pak ndërhyrjet e urgjencës ekstreme jetësore, pra për jetë ose vdekje, që për turpin e sistemit nuk realizohen as në QSUT.
Realizohen vetëm te privati, me pagesë në dore nga pacienti.
Ndryshe Vdis!
Midis tyre është dhe trajtimi i “aksidenteve” akute e të rënda cerebrale.
Pra, kemi të bëjmë me një urgjencë ekstreme, detyrë e shtetit për t’u përballuar.
Fatkeqësisht shteti në vend që të ndërtojë një strukturë të tërë mbështetëse urgjence, bën rolin e strucit, duke i thënë pacientëve…
O paguaj o vdis.
Së pari, është e papranueshme që të tilla procedura mos të realizohen në QSUT,
Turp kjo edhe për atë qendër, shërbimet, që së paku duhet të ngrenë fort zërin e jo të heshtin si fija e barit.
Së dyti, përderisa kjo të realizohet te publiku, shteti duhet të rimbursojë 100 % të shpenzimeve privatit që e realizon, duke e falenderuar atë.
Sepse ketu kemi të bëjmë me Jetë ose Vdekje.
Duke i uruar shërim aktorit të njohur e vlerësuar, dua të them: Nuk mjafton vetëm me kaq, janë shumë e shumë ata që në heshtje pësojnë të tilla sëmundje e kanë nevojë për ndihmë.
Opinioni mjekësor, ai i përgjithshëm duhet të ngrejë fort e lart zërin për t’u respektuar e vlerësuar së paku jeta e qytetarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë