Lajme

Ish-ministri Peleshi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, paraqiten në Prokurori

Ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjon Mazniku janë thirrur sot në Prokurori.
Peleshi pritet të merret në pyetje sot në orën 12:00 mbi skandalin e ‘Silicon Mix’, pasi një sasi e madhe pesticidi me emrin ‘Silicon Mix’ po shitej ne Shqipëri si pleh kimik.
Ndërkohë vetë fermerët e blinin atë për të vrarë insektet që dëmtonin qershitë. ‘Silicon Mix’ ishte bllokuar nga AKU, por me një urdhër të ish-ministrit Niko Peleshi, bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogramë kimikat.
Ndërsa nënkryetari Mazniku është thirrur në Prokurori pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike se kishte qëndruar në një hotel në Barcelonë, ku pagesa ishte 900 euro nata.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjon Mazniku

Pas hetimit të ngritur, Mazniku do të merret në pyetje nga Prokuroria. Në fillim të muajit shtator selia blu lëshoi një sërë akuzash në drejtim të Maznikut, se ky i fundit bënte pushime luksi në Barcelonë. Pas këtyre akuzave Prokuroria e Përgjithshme i bëri kërkesë Prokurorisë së Tiranës për të verifikuar rastin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë