Drejtësia

Ish-ministri dhe socialisti Nasip Naço në SPAK për çështjen CEZ-DIA: Ndryshova ligjin pas abuzimeve të kompanisë

Gazeta Si - Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme për çështjen CEZ-DIA. Këtë gjë e konfirmoi vetë Naço pas daljes nga SPAK, ndërsa zbuloi edhe qëndrimin që ka mbajtur para prokurorisë.

"Nuk do të doja të isha sot këtu, për shkak të marrëdhënieve të mia me publikun. Skeptikët dhe ziliqarët do të hedhin baltë. Jam thirrur për të deklaruar në lidhje çështjen penale që ka të bëjë me kompaninë me CEZ. Në atë kohë kam mbajtur një qëndrim korrekt dhe ligjor, kam folur me letra dhe jo me heshtje. Fakti që në atë kohë për shkak të abuzimeve që bënte kjo kompani me qytetarët dhe interesat e shtetit, kam ndryshuar ligjin për energjinë elektrike, duke nxjerrë jashtë sistemi disa kompani në atë kohë që kishin gati 20% të tregut të Cez. Kjo i kurseu buxhtetit rreth 40 mln euro, - tha Naço. - Sigurisht që ata që notonin në ujëra të turbullta në atë kohë dhe spekulonin morën një përgjigje që pas miratimit të këtij ligji, ish drejtori i CEZ u shkarkua nga detyra dhe Kastriot Ismailajt iu ndërpre kontrata dhe besoj se miratimi i ligjit ka folur gjithçka”, tha ai për mediat.

Nasip Naço ka qenë edhe Ministër Drejtësie gjatë periudhës 2013-2015, ndërsa në vitet 2011-2012, ai ushtroi detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në siglën e LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim).

Prokuroria e Posaçme ka rihapur në vitin 2019, çështjen CEZ-DIA, pas një denoncimi të juristit të Operatorit të Shpërndarjes Romeo Kara, si dhe pas disa shkrimeve mediatike.

Për këtë çështje, në SPAK është thirrur dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të dhënë shpjegime për marrëveshjen mes kompanisë çeke CEZ, e cila bleu në vitin 2009 kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë, dhe shoqërisë DIA, për mbledhjen e borxheve.

Meta vazhdimisht ka thënë se ai nuk kishte asnjë lidhje si me çështjen e CEZ-it si me marrëveshjen e kompanisë çeke me DIA-n.

Çështja është gjykuar njëherë në vitin 2017 ku është dënuar me 11 vite burg administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë