Politike

Ish-ministri Bushati kritikon Ramën: Po bëhet gabim fatal me Holandën

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shfaqet kundër qëndrimeve të mbajtura nga ana e kryeministrit Edi Rama sa i përket vendimit të marrë nga Parlamenti i Holandës ku me anë të një rezolute i kërkon qeverisë së saj që të kërkojë rivendosjen e vizave në zonën Shengen për Shqipërinë.
Me anë të një postimi në Facebook, Bushati boton një analizë të titulluar “Jo panikut, jo neglizhencës” ku kritikon qëndrimin që mban qeveria shqiptare në raport me vendimin e marrë nga Parlamenti holandez.

“Shanset që një nismë e tillë të prodhojë efekte në praktikë janë thuajse zero. Ndaj nuk ka vend për panik. Shqipëria edhe pse ka shumë sfida në betejën me krimin e organizuar dhe korrupsionin i përmbush kriteret e përcaktuara sipas vlerësimeve të Komisionit Europian. Megjithatë, nuk ka vend për neglizhencë e aq më keq për stigmatizim. Përkundrazi duhet të sigurojmë integritetin e debatit publik në lidhje me këtë çështje. Jemi në të drejtën tonë të përbuzim çdo steriotip negativ që tenton të na vizatojë si njerëz e shoqëri që prodhojmë veç krim dhe emigracion të paligjshëm. Por do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Holandën, anëtare themeluese e kontribuuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni. Do të ishte mendjelehtësi gjithashtu të injoronim mesazhin që vjen prej kësaj nisme të Parlamentit holandez, edhe pse e padrejtë dhe në mungesë të kritereve të përcaktuara nga vetë BE-ja”, shkruan Bushati në analizën e tij.

https://www.facebook.com/ditmirbushati.al/photos/a.524754080971712/2100736886706749/?type=3&theater


Ish-ministri i Jashtëm sugjeron gjithashtu që të punohet nga qeveria në arritjen e rezultateve konkrete me qëllimin që vendimi i qershorit të jetë pozitiv për Shqipërinë sa i përket çeljes së negociatave.
“Të drejtën tonë duhet të vazhdojmë ta demonstrojmë me vendosmëri përmes rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke shtuar angazhimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me organet e specializuara, me Komisionin Europian dhe me vendet anëtare të BE-së. Sepse në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që jemi ne që po trokasim në dyert gjithnjë e më vështirë të penetrueshme të BE-së dhe jo e kundërta”, shprehet më tej ish-kryediplomati.
Sipas tij, vendimi i Parlamentit holandez, edhe pse i pari për një nga shtetet që janë pjesë e listës së bardhë të Schengen, nuk është rrufe në qiell të kaltër.
“Vjet, në vigjilje të vendimit të BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, Parlamenti holandez, përmes një rezolute, i kërkoi qeverisë bllokimin e bisedimeve me Shqipërinë. Është fakt tanimë i njohur se për shkak të kundërshtisë së Francës dhe Holandës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk i nisën menjëherë bisedimet për anëtarësim në BE. Kjo situatë shtyu vendet anëtare drejt një formule kompromisi me kalendar të përcaktuar për nisjen e këtij procesi pas qershorit të 2019”, thekson më tej Bushati.
Vendimi i parlamentit holandez shkaktoi një reagim të ashpër të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij në seancën e fundit parlamentare shigjetoi opozitën shqiptare se pse u gëzua nga ky akt, si dhe konsideroi këtë vendimmarrje për efekt elektoral të forcave ekstremiste në rritje në Holandë dhe vijnë në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
“Ajo që po bëjmë me autoritetet holandeze është një punë që ata e vlerësojnë të shkëlqyer vetë, nga pikëpamja e bashkëpunimit, nga pikëpamja e shkëmbimit të informacionit, nga pikëpamja e pengimit të aktiviteteve të paligjshme dhe për këtë ne themi që ka të drejtë ministri i Drejtësisë dhe i Sigurisë së Holandës, që, ai vendim ishte një vendim në hava, pa asnjë impakt mbi pasaportat e shqiptarëve dhe për arsye të zgjedhjeve të tyre elektorale. Nëse ata kanë arritur në konkluzionin, që, duke i bërë shqiptarët gogol marrin më shumë vota, se do t’i mbrojnë njerëzit nga gogoli që ata e krijojnë vetë, kjo është politikë e tyre. Maksimumi që mund të bëjmë ne është që t’i shohim nga larg me keqardhje, por jo ta bëjmë Shqipërinë këtu, Tiranën dhe këto sallonet e kadrinjve arenë për të thënë, “po hiqen vizat se krimi, se këtu, se aty…” “Po hiqen vizat, - thoshte njëri, - nga PPP-të”. Kjo pastaj është fundi. Këtu unë do ju ftoja që të ndahemi realisht nga Partia Demokratike rrugore.

Ditmir Bushati duke folur në Parlament


Bushati kritik dhe sa i përket krizës politike
Ish-ministri Bushati ka mbajtur dhe një qëndrim kritik sa i përket krizës politike që po kalon vendi, ku opozita po paralajmëron mos marrjes pjesë në zgjedhjet lokale, duke protestuar dhe kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Këto qëndrime shihen edhe si ndonjë pakënaqësi të ndonjë grupimi brenda PS-së që janë kundër linjës që kryeministrit Edi Rama sa i përket zgjidhjes së krizës politike.
Kështu në seancën e mbajtur në Parlament më 3 prill, gjatë fjalimit tha se “duhet urgjent të gjejmë zgjidhjen e madhe mes vetes dhe me opozitën, pasi jemi në një krizë të madhe politike dhe sociale”. Ai tha se duhet që zoti Ruçi, Ulqini, Majko etj të marrin situatën në dorë si socialistë të vjetër dhe me eksperiencë që të bindim PS dhe opozitën për uljen në bisedime për të gjetur udhën e arsyes e jo të arrogancës. Ndërsa solli eksperiencën se Maqedonia dhe Greqia gjejnë gjuhën e kompromisit, kurse shqiptarët nuk arrijnë të bashkëpunojnë.

“Nuk duhet të mohojmë faktin se boja, mielli kanë dalë në rrugë dhe janë drejtuar gabimisht drejt policisë. Duke dalë nga Parlamenti opozita ka dëshmuar një llojë frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste, demokratë progresistë, ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë dhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë. Kjo është arsyeja pse e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për të dhënë më shumë hapësirë në reformën zgjedhore. Sepse unë nuk e konceptoj demokracinë si procedurë. Demokracia procedurë është zëvendësimi i formal i listës së PD dhe LSI, por demokracia është dhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por edhe opozitën politike besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka PS për fatet e demokracisë dhe fatet e Shqipërisë…”, do të shprehej Bushati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë