Drejtësia

Ish-ushtari i UÇK, Goxhaj kallëzon në SPAK ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja

Gazeta Si - Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj ka kallëzuar në SPAK ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për shpërdorim detyre, lidhur me procedurat dhe pranimin e kërkesave të Gjykatës Speciale të Kosovës për ekstradimin e tij kur u arrestua.

Ish-ushtari i UÇK akuzohej për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë, por Apeli rrëzoi akuzat dhe vendosi shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Tanimë Goxhaj ka dorëzuar një kërkesëpadi ku kërkon nisjen e procedimit penal ndaj ministrit Manja, për veprën “Shpërdorim Detyre” e parashikuar dhe sanksionuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Në padinë e ngritur, Goxhaj shprehet se “Ulsi Manja jo vetëm si Ministër i Drejtësisë por edhe si Deputet i Parlamentit Shqiptar ka dijeni të plotë se Parlamenti Shqiptar nuk ka ratifikuar dhe as e ka bërë ndonjëherë pjesë së marrëveshjes së ekstradimit me Kosovën, Ligjin Special mbi të cilin janë ngritur Dhomat Speciale të Kosovës”.

Ai akuzon ministrin e Drejtësisë se në funksion të detyrës së tij ka vepruar në kundërshtim me ligjet.

“Neni 11 i Kodit Penal sanksionin se ekstradimi nuk lejohet: Në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak”, shkruhet në Padi.

Ndërsa shton se: “Duke qënë se z.Ulsi Manja në cilësinë e ministrit ka pranuar kërkesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës drejtuar direkt kësaj ministrie në shkelje të neneve të sipërcituara të Ligjit Nr.2/2013 dhe Ligjit 3/2013 “Marëveshja Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Ekstradimin”.

Ai u arrestua në Tiranë në 1 gusht me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.

Goxhaj në fakt ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, por Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë