Drejtësia

Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj lë qelinë: Lirinë nuk e kisha humbur, donin të na trembnin  

Gazeta Si - Pak orë pas daljes nga qelia, me vendim të Gjykatës së Apelit në Tiranë që rrëzoi “ekstradimin” drejt Hagës, Dritan Goxhaj duket i lumtur.

Në një prononcim për mediat, ish-luftëtari i UÇK-së, tha se arrestimi i tij ishte një tentativë për ta trembur.

“Lirinë nuk e kisha humbur asnjëherë, as unë as UÇK, as ata që janë në Hagë, askush nuk e ka humbur lirinë. Ishte një tentativë për të na trembur, për të na frikësuar e për të na hequr nga rruga jonë dhe për të na mbushur mendjen që nuk ishim në një rrugë të drejtë. Sot arritëm t’ju tregojmë sërish që jemi në rrugën e drejtë dhe kemi luftuar drejtë”, tha ai.

Këtë të martë (10 tetor), Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë të Tiranës dhe ka refuzuar ekstradimin e Dritan Goxhajt në Hagë, si dhe ka urdhëruar lirimin e tij nga qelia.

Ish-anëtari i UÇK-së u arrestua më 31 Korrik dhe sipas Prokurorisë, arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi, pas kërkesës së Gjykatës Speciale të Kosovës.

Goxhaj akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale, se nëpërmjet një statusi të bërë në rrjetin social “Facebook”, ka intimiduar dëshmitarët në procesin për krime lufte që po zhvillohet në Hagë, kundër drejtuesve të UÇK-së.

Avokati Ardian Visha, i cili jashtë kamerave e konsideroi vendimin si të drejtë, kishte kundërshtuar ekstradimin, duke argumentuar së pari se Gjykata Speciale ka karakter politik.

Po ashtu, procesit të ekstradimit, i iniciuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë, i mungonte një kërkesë zyrtare nga ministri i Drejtësisë në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë