Lajme

Ish-lojtari i Partizanit humbet penalltinë vendimtare, eliminohet Gana

Bregu i Fildishtë dhe Tunizia janë dy skuadrat e fundit që janë kualifikuar për në çerekfinale të Kupës së Afrikës. Një gol i Zaha i dhuroi kualifikimin Bregut të Fildishtë në ndeshjen ndaj Malit, kurse Tunizia pati fat në gjuajtjet e penalltive në ndeshjen me Ganën. Për këtë të fundit rezultoi vendimtar gabimi i ish-lojtarit të Partizanit, sulmuesit Kaleb Ekuban, i cili e humbi penalltinë. Në çerekfinale Tunizia luan me Madagaskarin, kurse Bregu i Fildishtë me Algjerinë. Çerekfinalet, ku bëjnë pjesë edhe çiftet Nigeri-Afrikë e Jugut dhe Benin-Senegal, luhen të mërkurën dhe të enjten.

Zaha shënon golin e fitoren për Bregun e Fildishtë

Një gol i shënuar nga Zaha në minutën e 76-të vendosi ndeshjen e Bregut të Fildishtë me Malin. Portieri lëshoi një top të gjatë drejt zonës dhe pas devijimit me kokë të Kodjia, Zaha e përcolli në rrjetë. Në këtë ndeshje ishte Mali që bëri lojën dhe rrezikoi me Maregan, por nuk mundi të shënonte. Në hije gjatë gjithë ndeshjes mesfushori i Milanit, Frenk Kesi, ndërsa Kodjia humbi një rast të pastër i vetëm me portierin kundërshtar.

Kaleb Ekuban, kur luante me Partizanin

Skuadra e fundit çerekfinaliste u përcaktua nga penalltitë dhe ajo është Tunizia. Tunizianët shënuan në minutën e 73-të me Taha Khenisi, i cili fitoi duelin me mbrojtjen e Ganës dhe gjuajti saktë. Një minutë më parë kishte goditur traversën. Gana luajti më mirë në pjesën e parë, madje shënoi edhe një gol me Tomas, por që u anulua për një prekje topi me dorë. Barazimi erdhi në minutën e dytë shtesë nga një autogol i çuditshëm me kokë i Rami Bedoui. Raste për shënim në të dyja shtesat, por jo gol, duke ia lënë gjithçka penalltive. Penalltinë e tretë të Ganës e humbi një figurë e njohur për sportdashësit shqiptarë, ish-sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban, i cili aktualisht luan në Turqi. Ekuban erdhi te të kuqtë në huazim nga Kievo dhe la gjurmë me lojën dhe golat e tij. Sulmuesi pati një përvojë edhe në Sngli me Lidsin, pas aktivizimit me Partizanin. Tani ka arritur deri në kombëtare, por duke u bërë protagonist negativ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë