Politike

Ish-gjyqtari Gjin Gjoni i futet politikës, Bardhi: I plotëson kriteret. Me Bashën u ndava se s’them dot se vdiqën 60 mijë anëtarë që të mbetem kryetar  

Katër vjet më parë gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni i paraqiti Këshillit të Lartë Gjyqësor dorëheqjen, pak para procesit të vettingut, ndërsa përmes një letre që iu shpërnda medias ai akuzoi procesin si joprofesional dhe politikisht të varur. Emri i tij është kontestuar jo pak nga mazhoranca ndërsa ai që e ka mbrojtur gjithnjë ka qenë Sali Berisha.

Gjoni rezultonte një nga  gjyqtarët më të pasur në vend sipas vetëdeklarimeve të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave.

Qysh prej vitit 2020, emri i tij pak ose aspak u lakua në media deri ditët e fundit kur nga selia e PD-së së Rithemelimit u publikua një listë kandidatësh për kryetare partie në degë, si pjesë e procesit të reformimit brënda saj, pas bashkimit me pjesën tjetër që kryesonte grupin në Kuvend drejtuar nga Gazment Bardhi.

Ish-gjyqtari Gjin Gjoni është një nga kandidatët e listuar për kreun e PD-së së Lezhës dhe zgjedhjet në këtë degë pritet të mbahen më 6 prill, ndryshe nga pjesa tjetër e degëve ku zgjedhjet për kryetar kanë përfunduar.

Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN, tha se ish-gjyqtari i plotëson kriteret sa kohe është në listë.   

“Ai është një nga kandidatët. Zgjedhjet në Lezhë nuk janë bërë ende, kriteret për kryetarë dege janë të përcaktuar në statutin e partisë, sikundër ka edhe disa kritere specifike që përcaktohen nga komisioni zgjedhor. Asnjë kandidat që nuk përmbush kriteret nuk mund të kandidojë dhe me shumë gjasa emri që ju përmendni (Gjin Gjoni) i përmbush të gjitha kriteret nëse do të jetë në garë ditën kur do të bëhen zgjedhjet që në dijeni time zgjedhjet në Lezhë janë shtyrë për në datën 6 apo 7 prill”, tha Bardhi.

Bardhi u pyet gjatë emisionit edhe për marrëdhëniet që ai ka aktualisht me Lulzim Bashën.

Ai tha se nuk ka kontakte me këtë të fundit por nuk dha të njëjtën përgjigje për deputetët që drejtohen nga Basha.   

“Bashkimi i çdo zëri opozitar kundër Edi Ramës është e vetmja zgjidhje që i shërben interesit publik. Unë flas me një pjesë prej tyre në mënyrë të vijueshme sepse janë opozitar të shkëlqyer...

Me z.Basha nuk kam pasur  mundësi të komunikoj por nuk kam asnjë problem dhe nuk kam asgjë personale. Unë me z.Basha jam ndarë për rrugën brenda PD-se sepse ai shikonte  një zgjidhje tjetër për PD-në, ai shikonte një rrugë të caktuar të vijueshmërisë, unë shikoj si të vetmen zgjidhje bashkimin e PD-së dhe sigurisht njohjen e vullnetit të shumicës së anëtarëve pra unë nuk mund të them se kanë vdekur 60 mijë anëtarë partie vetëm që unë të rri kryetar partie”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë