Bota

Irani: Sulmi kundër Izraelit, hakmarrje për vrasjen e Soleimanit (por Hamasi përgënjeshtron!)

Gazeta Si- Hamasi ka mohuar pretendimin e Gardës Revolucionare Iraniane, se sulmi i 7 tetorit në Izrael ishte një përgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani 4 vjet më parë në Bagdad.

“Ne mohojmë, - thuhet në një deklaratë të cituar nga mediat, - kur raportohet nga zëdhënësi i Gardës Revolucionare në lidhje me operacionin dhe arsyet e tij. I kemi nënvizuar disa herë arsyet, ndër të cilat kryesore ishte kërcënimi ndaj xhamisë Al-Aksa. Çdo përgjigje e rezistencës palestineze është një reagim ndaj pushtimit dhe agresionit kundër popullit palestinez dhe vendeve të shenjta”.

“’Stuhia al-Aksa’ ishte një hakmarrje për vrasjen e Soleimanit", - pretendoi zëdhënësi i Pasdaran-ëve, Ramzan Sharif, duke kërcënuar se Teherani "do të përgjigjet", pasi një komandant i i lartë u vra në Siri të hënën.

"Këto hakmarrje do të vazhdojnë në vende dhe kohë të ndryshme", kërcënoi ai, duke përsëritur - siç raportohet nga agjencia iraniane “Tasnim” - se Seyed Razi Mousavi, i vrarë të hënën pranë Damaskut në një bastisje që i atribuohet Izraelit, "ishte përgjegjës për mbështetjen e Gardës Revolucionare në Siri dhe forcimi i boshtit të rezistencës" dhe "pati një rol të rëndësishëm në përgatitjen e luftëtarëve të rezistencës në luftën kundër ISIS".

Zëdhënësi e lidhi vrasjen e Mousavi-t "me disfatën e pariparueshme të pësuar" nga Izraeli më 7 tetor. “Vrasja e dëshmorit Mousavi është vazhdimësi e shkeljeve të ligjeve ndërkombëtare” nga Izraeli, akuzoi ai, duke kërkuar nga organet ndërkombëtare që “të ndalojnë këtë proces”.

Në të kundërtën, tha ai, “do të rrezikohet paqja dhe siguria ndërkombëtare”. Irani, përsëriti ai, "rezervon të drejtën për të marrë hak" dhe "do të jetë një hakmarrje e ashpër".

Sipas Sharifit, “përgjigja do të jetë një kombinim i veprimeve të drejtpërdrejta dhe frontit të rezistencës”, pra aleatëve të Teheranit në rajon.

Në këtë kontekst, duke iu referuar milicive pro-iraniane të Irakut dhe Sirisë, për zëdhënësin e Pasdaranit "është e rëndësishme që amerikanët të pranojnë se duhet të braktisin rajonin".

Pas operacioneve që i atribuohen Izraelit në territorin sirian dhe libanez, kundër objektivave iraniane dhe aleatëve të Teheranit, Sharif akuzoi gjithashtu qeverinë izraelite se "dëshiron të zgjerojë konfliktin dhe të sulmojë vendet e tjera" në një kohë kur është "shumë nën presion".

Për Sharifin, "një nga strategjitë e Izraelit" do të ishte shndërrimi i konfliktit me Hamasin në Rripin e Gazës në një luftë midis Iranit dhe SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë