Biznes

Investitorët strategjikë, zgjatet me 1 vit afati i pranimit të kërkesave

Me firmën e deputetëve Milva Ekonomi dhe Ervin Bushati është dorëzuar në Kuvend propozimi për zgjatjen me një vit të afatit të paraqitjes së kërkesave nga kompani e sipërmarrës që duan të përfitojnë statusin e “investitorit strategjik”.

Propozimi për të ndërhyrë në ligjin aktual “për investimet strategjike” është depozituar në Kuvend më 8 tetor dhe aty kërkohet ndërhyrja në nenin 36-të të tij, ku kërkohet shtyrja e afatit të kërkesave për të përfituar statusin e investitorit strategjik nga 31 dhjetori 2020 deri më 31 dhjetor 2021.

Por ku dhe si merret ky status? Ligji në fuqi përcakton si sektorë strategjikë energjitikën dhe minierat, transportin dhe infrastrukturën e komunikimeve elektronike dhe deri tek mbetjet urbane. Turizmi, bujqësia, zonat teknologjike dhe të zhvillimit ekonomik dhe zona të tjera me përparësi zhvillimi konsideron gjithashtu sektorë strategjikë.

Megjithatë, vetëm vullneti për të investuar në këta sektorë nuk mjafton që të merret statusi i investitorit strategjik. Në energjitikë dhe miniera kërkohet që investimi të jetë të paktën 30 mln euro. Po ashtu edhe në transport dhe mbetjet urbane, 5 milionë euro në turizëm dhe 3 mln euro në bujqësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë