Menaxhim

Investimet strategjike prekin dhe bujqësinë, projektet që parashikon qeveria

Nga Gazeta ‘SI’ – Investitorët strategjikë do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe tokat bujqësore, sipas një propozimi të ri të qeverisë.

Një draft i fundit nga ministria e Bujqësisë shpjegon se tokat bujqësore, pyjet, livadhet e kullotat do të mund të jepen për investitorët strategjikë, në projekte që synojnë zhvillimin e këtij sektori nëpërmjet metodave inovative.

Dokumenti në konsultim propozon investime të llojit agrifotovoltaike, një kombinim midis bujqësisë dhe prodhimit të energjisë së rinovueshme elektrike. Propozon aeroponinë, teknika e kultivimit të bimëve duke i mbajtur rrënjët e tyre të varura në hapësirë. Akuaponinë, një sistem i integruar bujqësie dhe akuakulture që kombinon rritjen e organizmave ujore (peshq ose kultura të tjera ujore) dhe kultivimin e bimëve në një cikël të mbyllur dhe hidroponinë, teknika e kultivimit të bimëve në tretësirë ujore.

“Përdorimi i këtyre teknologjive të reja do të sjellë rritjen e investimeve dhe prodhimit bujqësor si dhe një qasje të re të bujqësisë në vend duke shfrytëzuar jo vetëm sipërfaqet e tokës bujqësore por dhe duke zhvilluar kultivimin e bimëve dhe mbi tokë. Kjo sjell rritjen dhe të prodhimit bujqësor në vend duke shfrytëzuar çdo opsion të mundshëm. Gjithashtu dhe legjislacioni për investimet strategjike përfshin tek sektorët strategjike dhe teknologji inovative në fushën e bujqësisë”, argumenton ministria e Bujqësisë.

Drafti thotë së në tokat me bonitet 9 dhe 10, nivelet më të ulëta të prodhueshmërisë së tokës, investitorët mund t’a përdorin dhe vetëm për central fotovoltaik, pa detyrimin e prodhimit bujqësor.

Për këto lloje projektesh, kontrata e qirasë do të zgjasë deri në 30 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë